Tetova për poetin francez
Artan ARSLLANI
Laureat i Çmimit letrar "Naim Frashëri", për Edicionin XIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit", që do të mbahet në Tetovë nga 15-18 tetor, është poeti freng Lionel Ray. Ky është vendim i Jurisë së Festivalit, i përbërë nga kryetari i saj Prof.dr. Agron Tufa (Shqipëri) dhe anëtarët Skender Sherifi (Belgjikë), Ndue Ukaj (Kosovë). Në këtë edicion, Drejtoria e Festivalit do ta shpallë laureatin e sivjetshëm Anëtar Nderi të Festivalit.
Laureatë të mëhershëm janë emra të njohur si: Ismail Kadare (Shqipëri), Abdellatif Laabi (Marok), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Peter Poulsen (Danimarkë) etj. Fituesi u bë i ditur, gjatë një conference për shtyp, bga drejtori i festivalit Shaip Emërllahu.
Në vazhdim të konferencës, kryetari i jurisë, poeti Agron Tufa tha se Linonel Ray është një figurë e madhe e poezisë moderne franceze dhe europiane, që me krijimtarinë e tij e ka mahnitë kritikën franceze, për shkak të modernitetit të vargut e substancës së poezisë. Ray është një ndër poetët më novatorë të sotëm. Kërkimi dhe eksperimenti i tij poetik shkon në një ballafaqim me misterin e lashtë dhe semantikën trashedentale të fjalës, metamorfozën e saj nëpërmjet një aventure spektakolare të diskurseve dhe mikrodiskursve. Fushat semantike të poezisë së Rayit janë të nginjura me referenca dhe asociacione të holla, shpesh herë ironike e parodike. Fjala, si element krijimi, në poezinë e tij zbulon dhe zhvesh botërat nga perdet mbështjellëse, për të mbërritur në thelbin lucid që e modelon botën në pirgje vegimesh dhe imazhesh. Poezia e Ray-it ka gërshetuar përvojat avangardiste e moderniste, që nga poezia postsimboliste e surrealiste, deri te hulumtimi i formës dhe entropia e gjuhë. Eksperimentalizmi i poezisë së tij përbashkon ontologjinë ekzistenciale me ndjenjën bashkëkohore të një lirizmi human.
Temat e kërkimeve të mëdha të Lionel Ray-t janë zbulimi i misterit dhe i identitetit njerëzor, “kush jam, çfarë jam, pse jam, çfarë përfaqësoj në këte botë, kush është ai tjetri që bunë brenda meje”, etj. E gjithë kjo metafizikë, e përthyer në vargjet e një lirizmi ekstatik, përbën variacionet e identitetit kompleks njerëzor, ku ndoshta njeriut i duket vetja një qenie e huaj apo e tëhuajëzuar, e pazbuluar, projektim i unit ku mendon se është subjekti lirik, por që në fakt prek kufijtë e zbulimit të një identiteti tjetër. Poezia e tij e ka një lloj tejdukshmërie, nëpër të cilën frymon një bukuri e distancuar, një dukshmëri që mundohet të shprehë të padukshmen e mishëruar me fjalën, formën, vargun poetik, që finalizohet te konkluzioni: “Unë jam ato fjalë që po i shkruaj! Jam misteri, enigma e atyre fjalëve, jam çfarë thonë ato fjalë, por ndoshta edhe më shumë sesa nuk thonë ato”, përfundoi kryetari jurise Agron Tufa.
Në edicionin e sivjetëm kanë konfirmuar pjesëmarrjen poetë nga dyzet vende të botës. Programi do të jetë i larmishëm.
21 Shtator 2009