E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi në doganë paralizon tregtinë e lirë me Kosovën

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Detyrimet doganore kanë ulur tregtinë ndërkufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Për rrjedhojë, në tregun e Kukësit çmimet janë rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në shërbimet doganore të dy vendeve aplikohen masa shtrënguese, kur dihet se tregtia mes dy vendeve është jetike, sidomos për rajonet kufitare. Në këto ditë shtatori në doganën e Morinit, bie në sy mungesa e tregtarëve dhe furgonëve të furnizuar me produkte të ndryshme, sidomos ato me targa të Kukësit. Deri para pak kohësh ata blinin në Prizren mallra të konsumit të përditshëm si dhe fruta-perime. Por masat shtrënguese në doganën e Kosovës dhe të Shqipërisë e kanë paralizuar këtë lloj tregtie, duke sjellë falimentimin e tregtisë së vogël dhe rritje të çmimeve në Kukës. Në tregun e Prizrenit, ka gjithnjë e më pak blerës nga rajoni kufitar i Shqipërisë. Në një depo të madhe me artikuj ushqimorë pronari i saj thotë se i është përgjysmuar xhiroja. "Mbi 50 % na ka rënë puna. Nëse nuk hapet kufiri humbja është edhe më e madhe. Unë kam mbi 70 klientë ditorë nga Kukësi. Ata blejnë mallra ushqimore, pije etj", u shpreh ai. Qamil Haliti nga Krusha e Madhe ishte në mes të një pirgu me perime, të cilat kanë zënë të kalben. Ai thotë se edhe bashkëfshatarët e tij këtë sezon kanë humbur shumë nga pezullimi i tregtisë së lirë me Shqipërinë. "Kemi hedhur shumë prodhime. I drejtohemi Qeverisë së Kosovës, Kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të Bujqësisë, Idriz Vehapi që ta heqin doganën mes Shqipërisë dhe Kosovës", u shpreh ai. Gjatë kthimit për në Kukës në doganën e Vërmicës shihen qartë kontrollet deri në bagazhet e autoveturave. Shërbimi doganor nuk lejon më si më parë, që tregtarët të kalojnë mallra që kapnin vlerë më shumë se 200-300 euro pa paguar detyrim doganor. Në doganën e Morinit thonë se po zbatohet kodi doganor dhe se shteti po bllokon evazionin fiskal. Kjo shmangie doganore sipas përllogaritjeve i sjell rreth 4 mijë euro humbje në ditë arkës së shtetit. Në tregun e Kukësit dhe rajonit përreth sot 1 kg domate kushton 100 lekë, nga 30-40 lekë që kushtonte një vit më parë. Një 1 kg speca është në treg 70 lekë nga 25 lekë që ishte një vit më parë. Të gjitha këto, por dhe perime të tjera vinin nga tregu i Prizrenit. Një tregtar që furnizohej më parë në Kosovë shprehet se blerja në Tiranë e produkteve bujqësore apo në Lushnjë është një kosto e madhe për ta. "Tregu i Kosovës na ka furnizuar vazhdimisht pasi i gjejmë lirë. Tani jemi të bllokuar, nuk marrim as për vete dhe jo më për dyqanet", u shpreh një tregtar. Doganierët thonë se tashmë ata e dallojnë qartë atë që vjen për treg, pasi nuk është e mundur që një person të blejë çdo ditë 200 euro birrë, miell etj. "Kjo është katastrofë, jemi të papunë dhe këto çmime të rritura i kemi ne në kurriz", thotë një blerës. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha kohët e fundit ka avancuar dukshëm në idetë e tij për bashkim të shqiptarëve dhe për heqjen e barrierave ndërkufitare mes tyre, duke nënkuptuar heqjen e doganave dhe kontrolleve në kufi. Ai ka në axhendën e tij dhe një vizitë në Kosovë, ku pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh dypalëshe. Ministri i Tregtisë së Kosovës Lutfi Zharku, ka deklaruar se ka rënie në shkëmbimet tregtare dy muajt e fundit, por ai mohon që të ketë tatime dyfishe në dogana, duke deklaruar se paguhet vetëm TVSh-ja e mallit, që nënkupton 16% të vlerës së tij. Por për tregtarët e vegjël kjo taksë është e papërballueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›