Konfindustria: Ulja e normës bazë e Lekut të shoqërohet edhe me masa të tjera
Kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku i ka bërë apel qeverisë, politikës dhe Bankës së Shqipërisë të marrin masa, për mospasqyrimin në kreditimin e ekonomisë reale, të uljes së normës bazë të interesit të LEK-ut, pasi janë shfaqur shenja të qarta të sjelljeve oligopol sidomos në:- tregun e letrave me vlerë, – komisionimet bankare dhe në termat e kreditimit të biznesit dhe qytetarëve nga sistemi bankar shqiptar i nivelit të dytë.
Ai theksoi se konfindustrialistët mbështesin vendimin e fundit për uljen e normës së interesit për Lek-un prej 0.25% nga Banka e Shqiperisë, por njëkohësisht vlerësojnë se është e domosdoshme marrja e masave të tjera shtesë për tejkalimin e gjendjes së vështirë në ekonominë reale si pasojë e likuiditetit të munguar në gjysmën e parë të vitit 2012.
Sipas tyre, ndikimi i uljes së njëpasnjëshme të normës bazë të interesit për Lek-un me 0.75% nga fillimi i vitit 2012 për të arritur në nivelin 4% të sotëm ka qenë i papërfillshëm si në kreditimin e ekonomisë reale ashtu edhe në tregun e letrave me vlere të qeverisë.
Duke u bazuar në të dhënat e industrisë ata vlerësojnë, se për 5 mujorin e parë të vitit financiar në vazhdim vihet re një ulje e ndjeshme e masës së likuiditetit në ekonomi, që i bashkangjitet faktorit negativ psikologjik të konsumatorëve dhe shprehet në uljen e treguesit të shitjes për industritë me pasoja të rënda për zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.