E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet Gjykata Administrative

05-08-2012 / Gazeta 55

Halimi: Peng i ligjit të Gjykatës së Lartë

Rrezikohet krijimi i Gjykatave Administrative.
Bllokimi i ligjit të Gjykatës së Lartë nga opozita mban peng funksionimin e gjykatave që zgjidhin konfliktet e biznesit.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, flet për pasojat e parikuperueshme të bllokimit të draftit në Parlament. “Ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm për faktin se Gjykatat Administrative nuk mund të krijohen pa u miratuar ligji për Gjykatën e Lartë. Kjo nëse nuk është një lojë e opozitës, duhet të jetë një qëndrim serioz, i përgjegjshëm dhe profesional i saj në Parlament”, deklaroi ministri Halimi.
Deputetët e opozitës në komisionin e Ligjeve, kërkuan shtyrjen e ligjit për gjykatën e Lartë me argumentin e kohës së pamjaftueshme për shqyrtimin e draftit, por kostoja, sipas ministrit, reflektohet në marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Nëse nuk do të jap konsensusin, kjo sigurisht do të sjellë pastaj dhe mungesën e krijimit të Gjykatave Administrative dhe kjo është mjaft e rëndësishme për procesin e integrimit në të cilën ndodhet Shqipëria, përpara kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat”, u shpreh Halimi.
Ligji për Gjykatën Administrative u miratua më parë nga Parlamenti me konsensusin e opozitës, por tani kjo strukturë e drejtësisë është e bllokuar, pasi në ligjin e Gjykatës së Lartë duhet të parashikohet ngritja e një kolegji të posaçëm që do të shqyrtojë çështjet administrative.
Deputetët pritet t’i rikthehen në shtator draftit të Gjykatës së Lartë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›