PS: Koalicioni i përbërë shmang pazaret politike
Koalicioni i përbërë arrin të maksimalizojë rezultatin zgjedhor të përbashkët elektoral për subjektet zgjedhore që do të bëhen pjesë e tij, krijon mundësi për një peshim real të secilës prej tyre, si dhe shmang pazaret politike në ndarjen paraprake të mandateve në tavolinë. Këto janë përparësitë kryesore që do të sillte sanksionimi në Kodin Zgjedhor i Koalicionit të Përbërë si e vetmja mundësi zgjedhjeje për ato forca politike që nuk do të preferonin të dilnin të vetme në një garë elektorale. Sekretari për çështjet zgjedhore në selinë rozë, Kastriot Islami, duke u përpjekur të bëjë të qartë për opinionin publik se skepticizmi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në lidhje me këtë formulë bashkëpunimi zgjedhor nuk ka vend, ka shpjeguar në detaje të gjitha avantazhet që do të sillte dalja e partive politike të së majtës me lista shumëemërore të përbëra ku partitë e koalicionit paraqiten veçmas në fletën e votimit, ndërsa votat përballë kundërshtarëve politikë do të ishin të bashkuara. Sipas Islamit kjo lloj formule nuk duhet parë me dyshim nga askush, pasi është zbatuar dhe ka dhënë rezultate pozitive më parë për koalicionin e djathtë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe se është një praktikë e njohur edhe nga legjislacioni zgjedhor i vendeve me demokraci të zhvilluar. “Koalicioni i përbërë i jep mundësi votuesit që të zgjedhë koalicionin fitues, por të zgjedhë njëkohësisht dhe partinë më të mirë brenda koalicionit. Pra nëpërmjet koalicionit të përbërë realizohet konkurrimi midis koalicioneve, por edhe konkurrimi midis partive”, - u shpreh Islami. Gjithashtu, sekretari socialist vlerëson se realizimi i koalicionit të përbërë nuk bëhet mbi bazën e numrave apo llogarive aritmetike, por mbi parime dhe vullnet politik. “Shkohet në një koalicion gjithmonë nëse ka vullnet politik nga forcat përbërëse të këtij koalicioni dhe për më tepër që forcat politike brenda koalicionit të bashkëndajnë vizion të përbashkët politik dhe qeverisës dhe njëkohësisht të kenë programe që mund të integrohen me njeri-tjetrin”, - tha Islami. Ajo që ka një rëndësi themelore për Islamin është se realizimi i një koalicioni të përbërë do t’i jepte mundësi qytetarit që me një votë të vendoste njëherësh për koalicionin fitues, forcën më të mirë, programin më të mirë, por edhe t’i jepte fund pazareve politike që kanë shoqëruar pothuajse të gjitha zgjedhjet e mëparshme. Në këtë mënyrë do t’i pritej rruga çdo keqkuptimi mes forcave politike aleate për numrin e mandateve me të cilën do të përfaqësohen në Kuvend, pasi kjo gjë nuk do të bëhet më në tryezë nga kryetarët e partive, por në terren nga votuesit. “Me anë të këtij koalicioni i lihet në dorë votuesit të peshojë drejt cili është koalicioni fitues dhe cilat janë peshat relative të forcave politike brenda koalicionit, përfundimisht heq mundësinë e realizimit të koalicioneve nëpër tavolina, në pazare individësh, qofshin këta dhe krerët e partive politike”, - theksoi Islami. Gjithashtu ai ka theksuar se në këtë mënyrë do i jepej fund dhe mënyrës së debatit për përfaqësimin në kabinetin e ardhshëm qeverisës, pasi me anë të votës dhe peshimit të drejtë të partive politike projektohen dhe kriteret për formimin e qeverisjes së ardhshme. Në këtë mënyrë kombinimi i sistemit proporcional-rajonal me koalicionin e përbërë do të krijojë mundësi që politika shqiptare të pastrohet një herë e mirë nga partitë virtuale. Nisur nga të gjitha këta elementë që favorizojnë këtë lloj ndërthurje PS i bën thirrje edhe një herë LSI-së të çlirohet nga ngarkesat dhe interesat e ngushta dhe të përkrahë këtë zgjidhje si një mënyrë e sigurt për të rikthyer të majtën në pushtet. “Do të sugjeroja të shikohet me qetësi, me racionalitet dhe në thellësi koncepti i koalicionit të përbërë, avantazhet e tij dhe natyrisht të punohet me votuesit shqiptarë për të maksimalizuar suksesin e koalicionit të majtë dhe suksesin e secilës parti brenda këtij koalicioni”, - tha Islami.