Koalicioni i përbërë, alternativa e vetme në Kod
Pavarësisht se refuzoi publikisht pjesëmarrjen në një koalicion të përbërë me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i duhet që përsëri të bëhet pjesë e një koalicioni e po të njëjtës natyrë. Kjo pasi partitë kryesore në vend kanë vendosur që të sanksionojnë në Kodin Zgjedhor koalicionin e përbërë si e vetmja alternativë për të gjitha ato parti që nuk do të preferojnë të dalin në një garë elektorale të vetme. Burime pranë dy forcave të mëdha kanë bërë të ditur për “Shekulli-n” se në Kodin e ri Zgjedhor që pritet të miratohet në muajin e ardhshëm, nuk do të ekzistojë më mundësia që forcat politike të mund të krijojnë koalicione zgjedhore me lista të unifikuara kandidatësh, por vetëm koalicione me lista kandidatësh, ku secila parti pavarësisht se është në një koalicion konkurron me kandidatët e vet në çdo zonë elektorale. Në këtë mënyrë Neni 16 i Kodit Zgjedhor që flet pikërisht për koalicionet zgjedhore pritet të riformulohet sipas përmbajtjes “dy ose më shumë parti politike të regjistruara në KQZ, sipas nenit 15 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor, duke paraqitur, 35 ditë përpara datës së zgjedhjeve, marrëveshjen përkatëse të koalicionit ku partitë përbërëse të tij do të paraqiten në votimin veçmas në fletët e votimit dhe me listat e tyre të kandidatëve”. Ndërkohë që në kodin aktual lihet e hapur mundësia për të zgjedhur ose koalicionin e përbërë me lista kandidatësh të veçanta, ose koalicionin unik me listë të përbashkët kandidatësh ku partitë politike paraqiteshin si një subjekt i vetëm. Në bazë të këtij ndryshimi do të bëhet e mundur që votuesit të votonin njëherësh jo për koalicionin e tyre të preferuar, por edhe për partinë kryesore. Ky ndryshim që pritet të zyrtarizohet kur edhe të hapet përsëri debati për reformën zgjedhore me çeljen e sesionit të ri parlamentar, pritet t’i japë fund debatit që është hapur aktualisht midis forcave të majta. Miratimi i këtij ndryshimi do t’i vinte partitë politike përpara dy mundësish zgjedhjeje, ose të dilnin të vetme në zgjedhje si subjekte të veçante elektorale, ose në një koalicion të përbërë.