PS: Koha për të hapur kutitë
ADI SHKEMBI
Partia Socialiste thekson se tani është momenti që në Shqipëri të bëhet transparenca e procesit zgjedhor përmes hapjes së kutive të fletëve të votimit. Deklaratën e bëri dje deputetja e selisë rozë, Arta Dade, një ditë pasi Komiteti për Evropën Juglindore i Internacionales Socialiste miratoi në Tiranë një rezolutë ku mbështet hapjen e kutive të 28 qershorit në vendin tonë. Sipas deputetes së opozitës, Internacionalja Socialiste vlerësoi rolin e PS-së për zgjidhjen e krizës politike. "Internacionalja Socialiste i bëri thirrje Qeverisë dhe maxhorancës qeverisëse, që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve, përfshirë materialet zgjedhore, dhe hapjen e kutive të votave, përmes hetimit parlamentar pa vonesë dhe tani është momenti. Internacionalja Socialiste mbështeti Partinë Socialiste në të gjitha hapat e saj të betejës politike, për rivendosjen e demokracisë në vend. Ajo vlerësoi me nota maksimale, pjekurinë, kurajën, në të gjitha hapat që Partia Socialiste ka marrë, në mënyrë të veçantë në kompromiset e ofruara dhe vullnetin politik të treguar për zgjidhjen e krizës", u shpreh Dade. Partia Socialiste deklaron gjithashtu, duke u bazuar edhe në rezolutën e miratuar të shtunën, se në vend duhet të rivendoset demokracia. "Sikurse e keni ndjekur, dje në Tiranë u zhvillua mbledhja e komitetit për Evropën juglindore të Internacionales Socialiste, ku përveç vendeve të rajonit dhe partive përkatëse socialiste dhe social demokrate, morën pjesë edhe përfaqësues të partisë së socialistëve evropianë, përfaqësues nga Franca, nga Italia, nga Gjermania dhe nga Suedia. Edhe njëherë Internacionalja Socialiste rikonfirmoi qëndrimin e saj të shprehur që përmes deklaratës së këshillit të saj në Barcelonë në shtator të 2009, se në Shqipëri demokracia është domosdoshmëri të riafirmohet, pra duhet të rivendoset demokracia", theksoi më tej Dade. Sipas Partisë Socialiste, Internacionalja i kërkon forcave politike në vendin tonë që të zgjidhin krizën, e cila ndikon në institucionet demokratike dhe mënyrën e funksionimit të tyre. "Internacionalja Socialiste është në krah të Bashkimit Evropian, lidhur me të gjitha përpjekjet që BE ka bërë së fundmi, duke ju kërkuar palëve në Shqipëri të zgjidhin krizën, e cila ka impaktin e vet, jo vetëm në të gjitha institucionet demokratike të vendit dhe funksionimin e tyre. Por gjithashtu edhe në vonesat që mund t'i krijohen Shqipërisë, në axhendën evropiane të integrimit në BE", theksoi më tej deputetja e Partisë Socialiste.