LSI: Takimi i Internacionales Socialiste, i parëndësishëm
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi dje se takimi i të shtunës në Tiranë i Komitetit për Evropën Juglindore i Internacionales Socialiste, ishte i parëndësishëm. "Ishte një veprimtari e parëndësishme e disa njerëzve që nuk kanë se me çfarë të merren tjetër, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim është e fokusuar te prioritetet Europianizuese të Shqipërisë", tha dje sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama në përgjigje të interesimit të mediave për mungesën e kësaj force politike në takimin e organizuar nga PS. "Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar në çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian", deklaroi Rama. Sipas tij Lëvizja Socialiste për Integrim ka vlerësuar se aktiviteti i saj politik është fokusuar në çështje më konkrete, më të ndjeshme për opinionin dhe më të prekshme nga qytetarët. Në këtë linjë, Rama, përmendi procesin konkret të liberalizimit të vizave, por në një rrafsh më të gjerë dhe gjithë proceset europianizuese që synojnë të afrojnë vendin në familjen evropiane.