Panariti pret Ambasadorët e BE: Përmbushni në kohë kriteret
Rreth një muaj përpara publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, Ambasadorët e BE-së apelojnë klasën politike të përmbushin kriteret e mbetura deri në atë kohë. Gjatë një takimi me Mintrin e Jashtëm, Edmond Panariti, Ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë vunë në dukje rëndësinë që merr në këtë fazë bashkëpunimi intensiv midis forcave politike për të plotësuar detyrimet në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve, para publikimit të progres- raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
"Kjo arritje e të gjitha forcave politike në Shqipëri do të çojë në marrjen e statusit të vendit kandidat", janë shprehur ata. Nga ana tjetër kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti ka njohur diplomatët e BE-së me takimet që zhvilloi me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Parlamentit Europian, gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Ministri Panariti theksoi se, i njohu ata me ecurinë e procesit të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Europian, si dhe rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të plotësuar sa më shpejt edhe detyrimet e tjera që kanë mbetur.