E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, bashkëpunim apo jo?

Këto ditë në media është duke u zhvilluar një diskutim nëse PS duhet të bashkëpunojë sërish me LSI-në, për të larguar Berishën.

Deklaratën e parë e bëri deputeti i PS-së, Besnik Bare, të cilit ju përgjigj Ylli Manjani, i cili tha se PS-ja duhet ta ketë për nder bashkëpunimin me LSI-në.

Ndërkohë, në një intervistë tek Panorama, deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi se është e domosdoshme hapja e PS-së përtej koalicionit me një parti të caktuar siç është LSI-ja apo PDIU-ja. Pra, duke mos e përjashtuar LSI-në nga koalicioni.

Hapja e partisë është një proces i domosdoshëm që buron jo vetëm nga nevoja për vota, por si një alternativë serioze gjithëprëfshirëse, nga e cila derivon një program më përfaqësues në shërbim të njerëzve. Rëndësi ka baza mbi të cilën ngrihen koalicionet, tha Leskaj.

Por, LSI-ja nuk duket shumë entuziaste nga ky koalicion, sidomos për faktin se në krye të PS-së është Edi Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi në një intervistë për Shqip se, LSI-ja nuk do të kthehet në një trampolinë për të marrë pushtetin Edi Rama.

LSI-ja nuk mund të shërbejë si trampolinë për interesat e Edi Ramës dhe të enturazhit të tij.[...] PS-ja ka të tjera gjëra për të zgjidhur para se të mendojë që të vijë në pushtet duke përdorur LSI-në. Ajo duhet të zgjidhë problemet me vetveten, me lidershipin e saj, me identitetin dhe raportet e veta me interesat e vendit, tha Luan Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›