Bode: Reformatorët, të barabartë mes nesh
Bashkimi PD-PR, shtrihet në bazë
Ministri flet për reformat e qeverisë
Ministri i Financave, Ridvan Bode, informon bazën demokrate për reformat e qeverisë dhe programin e saj të investimeve me premtimin se ato do të jenë gjithnjë në rritje. Bode ishte dje në Kolonjë ku mori pjesë në zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së së rrethit si i deleguar nga qendra. Duke u ndalur në arritjet e qeverisjes së PD-së, Bode vuri në dukje se "Partia Demokratike në të gjitha nivelet, përmes një konsultimi të gjerë vëren se po zbaton programin e saj ambicioz të investimeve", ndërsa premtoi shtimin e tyre. Ai shprehu bindjen se "strukturat e reja të dala nga Kuvendi i 10-të i Partisë Demokratike për Kolonjën do të bëjnë të mundur që kjo forcë politike të jetë e para në këtë rreth". Ridvan Bode vlerësoi bashkëpunimin me Partinë Demokrate të Re, për të cilën siç u shpreh ai: "I kemi pranuar mes nesh si të barabartë mes të barabartëve, pjesë e kompeticionit më të madh politik edhe në Kolonjë". Në këtë mënyrë bashkimi i këtyre dy partive pas 10 vjet ndarjeje po shtrihet dhe në bazën e partisë me mbështetjen e të deleguarve të kryesisë së PD-së. Dega e Partisë Demokratike në rrethin e Kolonjës, pas analizës së punës në Kuvendin e 10-të, zhvilluar gjatë ditës së djeshme, zgjodhi përmes një procesi konkurrues strukturat e reja drejtuese dhe kryetarin e kësaj dege, Viktor Duro. I deleguar nga kryesia qendrore e PD-së ishte sekretari i përgjithshëm i kësaj force, Ridvan Bode, i cili vlerësoi punën e bërë në këtë degë dhe faktin se Partia Demokratike pas katër vitesh, ndodhet në një stad të ri në rrethin e Kolonjës në nivel lokal, pasi nga 2 komuna të fituara nga PD-ja para vitit 2007, sot demokratët qeverisin në 5 njësi vendore. Në Kuvendin e 10-të të degës së Partisë Demokratike për rrethin e Kolonjës, morën pjesë 150 delegatë, nga vota e të cilëve dolën strukturat drejtuese në nivel rrethi. Për postin e kryetarit të degës së PD-së në rrethin e Kolonjës kandiduan Sulejman Ago, Miranda Zyberi, Viktor Duro dhe Vladimir Përdhiku, të cilët, pasi lexuan platformat e programeve të tyre, kërkuan votat e delegatëve kolonjarë, duke premtuar ndershmëri e përkushtim në postin e kryetarit të degës së PD-së. Pas votimit, kryetar i ri i degës së PD-së në Kolonjë u zgjodh Viktor Duro.