E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-LSI nisin punën për planin qeverisës në 300 ditë, Beqaj: Kemi konvergjencë

Dy bashkëpërgjegjësit për hartimin e planit 300-ditor të punës së qeverisë së re, kanë filluar punën, edhe pse duhen edhe 2 muaj që ky plan të nisë zbatimin. Pas njoftimit që dha kreu i PS-së, Edi Rama, pas një takimi prej më shumë se 2 orësh me kreun e LSI-së, Ilir Meta, Edmond Haxhinasto nga LSI dhe Ilir Beqaj nga PS thonë se ata janë në konvergjencë me njëri-tjetrin. Në një prononcim televiziv, anëtari i kryesisë së LSI-së, Edmond Haxhinasto tha se LSI-ja dhe PS-ja deri më tani janë në sinkron për prioritetet e 300 ditëve të para të qeverisjes, ku kryesori mbetet punësimi. “Ka nisur puna. Jemi duke vlerësuar prioritetet, të cilat kanë nevojë për një konvergjencë në programin e përbashkët për 300 ditët e ardhshme. Ne sigurisht kemi prioritetet tona, të cilat janë të rëndësishme për ne, veçanërisht ato prioritete të cilat shkojnë në mbështetje të punësimit, në mbështetje të atyre reformave që do të garantojnë një rritje ekonomike të vendit me ritme shumë më të larta sesa deri më sot”, - u shpreh Haxhinasto. 

Problemi mes tyre mbetet se si do ta zgjidhin çështjen e taksimit, megjithëse nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor. Haxhinasto tha se 2 partitë e majta kanë gjetur gjuhën e përbashkët, jo vetëm për taksimin, por edhe për shërbimin shëndetësor falas, gjithashtu të propozuar nga PS-ja. “Për sa i takon tatimit mbi të ardhurat, edhe LSI ka propozuar në programin e saj një progresivitet. Aktualisht ekziston një progresivitet me dy shkallë. Janë hequr tatimet mbi të ardhurat për pagën mbi 300 mijë lekë të vjetra. Ne si LSI e kemi me tri shkallë këtë tatim, por sigurisht jemi të hapur për ta rivlerësuar duke pasur parasysh edhe qëndrimet e PS-së”, - sqaroi Haxhinasto. Nga ana e tij, edhe Sekretari për Programin, Ilir Beqaj garantoi se për momentin gjithçka është në konsensus të plotë. “PS dhe LSI janë në konvergjencë të plotë për piketat e qeverisjes së 300 ditëve të para”, - u shpreh Beqaj.
Kundërshtitë
Në fakt, liderët e dy partive, Rama e Meta duket sikur kanë rënë në një mendje sa i përket pjesës ekonomike të programit qeverisës, edhe pse pak kohë më parë, kreu i LSI u shpreh kundër heqjes së taksës për biznesin e vogël. Meta është shprehur se kjo sjell largim të investitorëve të huaj dhe vendës. Ndërsa kreu i PS-së i ka mëshuar gjithmonë premtimit se do të heqë taksën për biznesin e vogël. Taksimi i ndershëm, ose ai progresiv siç e quan LSI-ja, është pika ku herë-herë dy partitë kanë kundërshti me njëra-tjetrën. “Nuk do heqim dorë nga taksimi i ndershëm, që t’u japim mundësi të gjithë atyre që sot fitojnë më pak, të taksohen më pak, dhe që të mos heqim taksën e biznesit të vogël dhe të mos përgjysmojmë tatimin e fitimit mbi biznesin e vogël. Dy të parat do bëhen menjëherë, tjetra mund të kërkojë shfazim me kohë”. Këto ishin premtimet e ditëve të fundit, pas fitores së zgjedhjeve, bërë nga ana e kryeministrit të ri të vendit, Edi Rama. Të dyja partitë synojnë të realizojnë prem-timin e punësimit të sa më shumë njerëzve, por gjithçka pritet të saktësohet në shtator, kur plani i punës të jetë gati.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›