E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është skandal me armë, jo me Armeninë

Antena brenda familjes

Ministria e Mbrojtjes mund të jetë e përfshirë në një skandal më të thellë se ai i skandalit të shitjes së municioneve të skaduara një firme amerikane për llogari të ushtrisë afgane. Skandali i armëve të faturuara drejt Armenisë në verën e vitit 2007, në Bosfor, mund të zbulojë një histori të re dhe shumë të errët të trafikut zyrtar të armëve. Ngarkesa që u kap ishte e treta e një kontingjenti që faturohej në këtë adresë, por “Antena” ka të dhëna se Armenia nuk ka qenë vendi pritës. Armët shiteshin përmes dokumenteve fiktive në disa rajone të tjera. Në atë kohë Mediu, i kapur ngushtë, ngaqë skandali u bë publik, tha se kishte miratimin e SHBA dhe Pentagonit për ato ngarkesa, por zemërimi i Azerbajxhanit e la të zbuluar. Azerbajxhanasit e morën seriozisht se ai po iu shiste armë armenëve dhe na kërcënuan se po rrezikojmë sigurinë e tyre kombëtare. Basha i siguroi se nuk ishte kontratë e vërtetë, por ishte çështje taktike. Sikur të mos mjaftonte kjo, armatimet, ku përfshihen predha të rënda, të dërguara formalisht për demontim te Delijorgji, në Gërdec, u regjistruan si hyrje malli, pra si import, ngaqë nuk i korrespondonin dot asnjë ngarkese të dalë zyrtarisht për eksport nga Shqipëria. Skandali u bë më i madh, po të kemi parasysh se ato u depozituan në Shkozet, në oborrin e firmës “Përparimi”, pronë e Delijorgjit dhe nga inventari i përgjithshëm mungon një kontejner. Të gjitha këto detaje skandaloze flasin për një histori të zbuluar rastësisht nga bllokimi anijes në Detin e Zi. Nëse anijet nuk do ishin bllokuar, njësoj si në rastin e Gërdecit, asgjë nuk do merrej vesh. Për këtë prokuroria ka tani një barrë të madhe me punë, të shfletojë letrat e bëra lëmsh prej Mediut. Ky i fundit, në pritje të ftesës nga prokuroria, ka filluar të zihet me Shaban Meminë, duke e akuzuar se po legalizon tokat e pronarëve. Flamurit, që i ikën truri, kur dëgjon të mbrohen pronarët, dje nuk i dilje dot përpara.

- Bën sikur zihet me Shaban Meminë, - tha. - Po Shabani të paktën ka gruan pronare të vjetër, është pronare e gjysmës së Tiranës, kurse ai s’ka asgjë dhe bën sikur mbron pronarët. I kam thënë atij burrit, mo ta shoh më të dalë të flasë për politikë, por “mos u nxeh, - më thotë, - se ka dhe ai të drejtë të flasë”. E kupton ti ku jemi katandisur ne apo jo?! Një njeri që ka shitur armë tre vjet, që është bërë milioner, që ka blerë nja 40 hektarë tokë në Bërxullë, që ka miliona të pajustifikuara, bën dhe si burrë shteti, dhe si politikan, dhe flet për pronat, për rikompozim qeverie.

- E di, e di, - i thashë, - po mos më dil nga tema e armëve. Di gjë ti, ku mund të gërmoj unë për këtë punën e armëve nga Armenia, se më duket e rëndë shumë?

- S’ke ku gërmon, o mixhë, se s’të thotë njeri gjë këtu. Nuk funksionon asgjë. Dhe unë jap urdhra kot, se asnjë s’më pyet. Kë të pyesësh, Gaz Oketën? Çdo ditë e bën lëmsh punën e Gërdecit. Në ditët tek thotë “Gërdeci, i pasigurt”, në ditët çift, thotë “i sigurt”. Dhe po ta pyesësh për këto armët kështu do thotë. ǒt’i bëj atij burrit që e bëri ministër, se unë s’e kisha marrë as roje te parkingu. Po u bë tani. Kjo punë e armëve thua ti...? Ku di unë ç’mund të jetë, o mixhë. Të gjithë për të vjedhur e kanë mendjen. Vetëm unë dhe ai burri punojmë. Pyet Lul Bashën njëherë, po kujdes se të gënjen dhe kot, pa shkak. S’di nga i ka mbet ky zakon, po mua më gënjen për çdo gjë. E pyeta unë dje, i thashë ç’është ky muhabeti i Armenisë, se na telendisët kot. E di ç’më tha? “Është kot, - tha. - Kanë ngatërruar gazetat fjalën Armë me Armeni dhe bëjnë zhurmë kot. Nuk ka lidhje fare Armenia.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›