E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, replika për sugjerimet e dokumentit mbi ngërçin

27/08/2010 Rezoluta e Parlamentit Evropian sjell përplasje mes partive

Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe mënyra e interpretimit të saj solli dje një tjetër përplasje mes forcave politike, kësaj radhe mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në deklaratat e tyre nga selitë përkatëse këto dy parti dhanë vlerësimet e tyre mbi një rezolutë të tillë, e sidomos për mesazhin që ky dokument përçoi pak kohë më parë për klasën politike. Krahas kërkesës për zgjidhjen e krizës politike kjo rezolutë bëri me dije dhe pasojat që do të kishte për vendin zvarritja e një zgjidhje përfundimtare nga partitë parlamentare të ngërçit që ka mbërthyer prej më shumë se një viti marrëdhëniet pozitë opozitë. Nga ana e saj LSI i bëri thirrje PS-së të lexojë në mënyrën e duhur mesazhin e PE-së dhe të ulet në tryezën e bisedimeve me një projekt konkret për zgjidhjen e krizës. Ndërsa në një kundërpërgjigje të menjëhershme PS-ja hodhi poshtë një qëndrim të tillë, duke i mëshuar me forcë faktit se kampi rozë nuk do të heqë dorë nga kërkesa e tij për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Qëndrimi i LSI-së

“Mënyra se si është shfaqur lidershipi socialist, dëshmon se e ka lexuar së prapthi rezolutën dhe kërkon të përligj në fund të fundit dështimin e të gjithë aksionit politik që ajo ndërtoi mbi atë që të gjithë tashmë e njohin si transparencë e zgjedhjeve”. Kështu u shpreh dje sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, gjatë një deklarate për shtyp. Madje po në këtë linjë, Rama vuri në dukje se “transparenca e zgjedhjeve nuk bëhet nga konferencat e shtypit, por me projektin konkret, me ndryshmin konkret në Kodin Zgjedhor, me ligjin konkret që e bën të mundur dhe vendos projekt të standardit evropian mbi baza ligjore dhe jo mbi baza volumtariste dhe mbi baza të pasionit politik”. Për këtë arsye, LSI përmes përfaqësuesit të saj, Rama ftoi “aktorët politikë, në mënyrë të veçantë të ftojë Partinë Socialiste që të jetë pjesë e angazhimit për ta zbatuar këtë rezolutë, pasi në të janë të shprehura qartë, saktë dhe pa ekuivok detyrat që duhet të përmbushen me qëllim që vendi të mos jetë jo vetëm pre e trilleve politike që burojnë, apo interesave që s’kanë të bëjnë me interesat e vendit”.

Përgjigjja e PS-së

“Kuvendi duhet të nisë punën pikërisht me zbatimin e Rezolutës së Parlamentit Evropian, e cila, shprehet qartë dhe pa asnjë ekuivok, për transparencën e zgjedhjeve të kaluara dhe hapjen e kutive. Le të nisë puna e Kuvendit me zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, që garantohet si fillim nga hapja e kutive të materialeve zgjedhore, ndërkohë që për fletët votimit opozita e ka ofruar tashmë kompromisin e saj”, u shpreh deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, në kundërpërgjigjen e saj për pretendimet e ardhura nga LSI-ja.

Pikat kryesore të Rezolutës

Përshëndet miratimin më 27 maj të propozimit të Komisionit Evropian për hapjen e procedurave legjislative për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

I bën thirrje Komisionit Evropian të verifikojë përmbushjen e çështjeve të mbetura me qëllim hapjen e rrugës për aprovimin nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian të vendimit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda vitit 2010.

Rezoluta e PE-së u drejtoi thirrje të gjithë faktorëve politikë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, përfshirë këtu diskutime për një ligj të ri zgjedhor, i cili do të garantojë transparencën e plotë të procesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme.

Thekson se zgjidhja për ngërçin mund të gjendet vetëm duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe parimet e transparencës.

Në rezolutën e PE thuhet që një komision parlamentar hetimor, i kryesuar nga opozita, duhet të hetojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 duke pasur mandat të hetojë edhe materialin zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›