E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet konkursi ndërkombëtar për gjetjen e projektit

27/08/2010 Rehabilitimi i sheshit “Nënë Tereza”

Projekti për rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza”, në kryeqytet do të përzgjidhet nëpërmjet konkursit ndërkombëtar që është çelur gjatë ditës së djeshme. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me ambasadën italiane kanë shpallur iniciativat për zhvillimin e konkursit ku janë ftuar të marrin pjesë jo vetëm arkitektët shqiptar, por edhe ata të studiove ndërkombëtare. Sipas kryebashkiakut, Edi Rama, projekti duhet t’i bëjë jehonë historisë dhe të paralajmërojë të ardhmen, ndërkohë që do të ketë si qëllim shtimin e numrit të këmbësorëve dhe pakësimin e makinave që do të qarkullojnë në shesh.

“Sot është një ditë e shënuar për të gjitha arsyet që kanë të bëjnë me vlerat e parimet universale që Nënë Tereza i mishëron, të cilën ne sot e përkujtojmë, por është edhe një ditë e shënuar, sepse ne sot bëjmë një akt, bëjmë një shembull të asaj që Nënë Tereza mendonte kur thoshte: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. Sheshi “Nënë Tereza” që hyn në konkurs dhe që do të transformohet, sigurisht nuk do të shënojë fundin e transformimit të shumëçkaje, por do të jetë një qiri i ndezur për ndriçuar rrugën në të ardhmen”, ka pohuar Rama gjatë ceremonisë së çeljes së konkursit ku i ftuar ishte edhe ambasadorit italian në vendin tonë Saba d’Elia. Duke iu referuar simbolikës së sheshit, Kryebashkiaku Rama vlerësoi partneritetin mes Bashkisë së Tiranës dhe Kooperacionit Italian për Zhvillim, si vazhdimësi e angazhimit tradicional në nxitjen dhe vënien në lëvizje me shpejtësi të një ëndrre, projektit të rehabilitimit të sheshit, i cili mban emrin e bamirëses dhe shenjtores me zemër të madhe. “Së bashku për sheshin “Nënë Tereza” është një bashkëpunim, i cili synon rehabilitimin e qendrës historike të kryeqytetit dhe që siç u shpreh edhe Kreu i Bashkisë së Tiranës “pa asnjë dyshim do të luajë një rol kyç, në organizimin e gjithë procesit të rehabilitimit të sheshit, për ta kthyer atë në një hapësirë të qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës, ka vijuar Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›