E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Malaj: Qeveria po keqpërdor fondet me aktin normativ

Në pamundësi për t'u shprehur në seancën parlamentare, PS ka bërë publik shqetësimin për aktin normativ nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia rozë. Në emër të PS, Malaj theksoi se miratimi i këtij akti normativ është dështimi i radhës i qeverisë 

TIRANE-“Ndryshimet në buxhetin e shtetit me akt normativ në ditët e fundit të vitit, janë vetëm një keqpërdorim me taksat e Shqiptarëve”- kështu ka thënë sot Arben Malaj në një deklaratë për shtyp.
Partia Socialiste nuk ishte e pranishme në seancën e fundit parlamentare,për shkak të kundërshtimeve për të votuar për ligjin e dosjeve i cili u miratua vetëm me votat e pozitës. Në pamundësi për tu shprehur në seancën parlamentare,të shqetësuar për keq manaxhimin e buxhetit, PS ka bërë publik shqetësimin për aktin normativ nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia rozë.
Në emër të PS, Malaj theksoi se miratimi i këtij akti normativ është dështimi i radhës i qeverisë, përsa i përket implementimit dhe hartimit të buxhetit të shtetit. “Ndryshimi i buxhetit të shtetit me akt normativ është antikushtetetues, cënon rëndë menaxhimin e financave publike, cënon transparencën, rrit abuzivitetin dhe korrupsionin” –është shprehur Malaj.
Sipas deklaratës që vjen nga opozita , qeveria ka dështuar 350 ditë të vitit në mbledhjen e të ardhurave dhe kryerjen e investimeve në ekonomi dhe pretendon që në ditët e fundit të vitit të realizohen rreth 150 milion dollarë shpenzime dhe investime. Kjo sipas Partisë Socialiste, është minimalisht dështim dhe mungesë përgjegjësie dhe maksimalisht veprim korruptiv për të keqpërdorur para buxhetore në projekte korruptive.
Partia socialiste ka shprehur me shifra pamundësinë që ka qeveria për realizuar këtë ndryshim.
Malaj ka thënë se në arkëtimin e të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s ka një mungesë të dukshme transparence, dhe ky arkëtim nuk është përfshirë në buxhetin e shtetit. “Mosdhënia e informacionit të dokumentuar bankar për arkëtimin e tyre, edhe pas kërkesës së përsëritur të opozitës dhe medias, rrit shqetësimin për veprime që cenojnë rëndë kredibilitetin e qeverisë”-është shprehur ai.
“Ky akt normativ dhe ky keqpërdorim i taksave dhe tatimeve, është një kosto shtesë në xhepat dhe jetën e përditshme të shqiptarëve”-thuhet në deklaratë.
(eriola.nurcelli/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›