E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi i opozitës, negociatorët mblidhen sërish

Dritëro Agolli, Rexhep Meidani dhe Servet Pëllumbi zhvilluan një takim të përbashkët me Sabit Brokajn e LSI-së

TIRANË- Mungesa e një mandati përfaqësimi nuk ka penguar “negociatorët” socialistë për të nisur bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje që do të bënte të mundur sheshimin e mosmarrëveshjeve mes PS-së dhe LSI-së dhe afrimin e tyre në një koalicion të përbashkët parazgjedhor. Ashtu siç ishte lënë që një ditë më parë, të katër socialistët e vjetër, Dritëro Agolli, Rexhep Meidani dhe Servet Pëllumbi, si figura të PS-së dhe Sabit Brokaj, si përfaqësues i LSI-së, kanë zhvilluar dje një takim të përbashkët, ku dhe kanë shkëmbyer një sërë idesh për zgjidhjen e situatës politike brenda së majtës. Por, përveç ideve të shkëmbyera, biseda nuk ka dalë me ndonjë rezultat konkret, pasi siç bëhet e ditur nga burime pranë tyre, të katër figurat e hershme të socialistëve do të zhvillojnë të tjera takime, për të koordinuar veprimet e tyre në funksion të bindjes së lidershipeve reciproke për t’u pajtuar dhe për të realizuar më pas koalicionin e shumëpritur nga të majtët. Për këtë qëllim ata duket se do të përpunojnë një strategji konkrete bashkimi para zgjedhjeve elektorale të qershorit, duke bindur partitë që ata përfaqësojnë. Megjithatë, duket se negociatat që përfliten do të jenë të vështira, pasi periudha e mosmarrëveshjeve mes këtyre dy forcave i ka çuar ato shumë larg në pozicionimet e tyre politike ndaj njëra-tjetrës. Ndërkohë që, dy ditë më parë, kreu i PS-së Edi Rama, në një dalje të tij publike, ka deklaruar edhe një herë se partia që ai drejton mbetet e hapur për të bashkëpunuar me LSI-në, në rast se kjo e fundit heq dorë përfundimisht nga përpjekjet për të goditur socialistët nëpërmjet fushatës së shpifjeve dhe sharjeve publike. Rama gjithashtu ka bërë të ditur se PS-ja e konsideron debatin për Kodin Zgjedhor një kapitull të mbyllur, ndërkohë që duket se përpjekjet e LSI-së për të bashkëpunuar me PS-në duket se kanë për qëllim ta bindin atë që të pranojë të ndryshojë ligjin zgjedhor në disa pika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›