PS, Malaj: Qeveria qëndrim arrogant ndaj BB
TIRANE- Partia Socialiste shprehet e shqetësuar në lidhje me qëndrimin “armiqësor” që sipas saj qeveria e Berishës po mban ndaj Bankës Botërore.
Deputeti socialist Arben Malaj në një prononcim për shtyp shprehu sot shqetësimin se qeveria po mban të njëjtin qëndrim “arrogant” me Bankën Botërore sic mbajti dhe me FMN-në kur, kjo e fundit propozoi për të asistuar nga afër Shqipërinë në këtë periudhë paqartësish të risqeve ekonomike në rritje.
Sipas Malajt “me ardhjen në pushtet qeveria Berisha vështirësoi ndjeshëm dhe në disa raste edhe bllokoi fillimin e disa projekteve, për të cilat ishin nënshkruar edhe marrëveshjet financiare me donatorët”.
Më tej Malaj renditi disa projekte, investime të ndërkombëtareve, të cilat sipas PS-së janë bllokuar nga vetë qeveria Berisha.
”Qeveria bllokoi për rreth tre vjet investimin rreth 70 milion euro në rrugën Fier-Tepelenë, projekt i financuar nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe Banka Europiane per Investime.
Qeveria bllokoi për dy vjet projektin e TEC-it të Vlorës, projekt që do të lehtësonte krizën energjitike, me kapacitet prodhues 85-135 MË, i mbështetur nga Banka Botërore, BERZH dhe BEI. Qeveria gjatë këtyre viteve dështoi në koordinimin dhe thithjen e financimeve nga donatorët e huaj. Investimet e huaja nga donatorët gjatë viteve 2005-2008 u pakësuan ndjeshëm, duke u kompensuar me kredie me kushte të rënda tregtare, çka rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë dhe cilësinë e jetës së tyre”
Si rast më të turpshëm Partia Socialiste konsideron “dështimin e projektit të zonës bregdetare, në vlerën 38.6 milion dollarë, dhe që financohet nga pesë donatorë, ku Banka Botërore financon rreth 50% të projektit”.
Sipas Malaj qeveria po tregon qartë mungesë përgjegjësie dhe llogaridhënie, arrogancë dhe kapadaillëk abuziv ndaj BB të cilat po dëmtojnë ndjeshëm ecurinë e shumë projekteve të domosdoshme për ekonominë e vendit.
“Banka Botërore nuk është bankë tregtare, nga e cila merr thjeshtë para borxh dhe s’ke asnjë kushtëzim për reforma dhe luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.”- tha më tej Malaj duke shtuar se është e pafalshme dhe e rëndë për ekonominë e vendit dhe jetesën e shqiptarëve, që vizionit, përgjegjësisë dhe angazhimit të menjëhershëm të Bankës Botërore dhe institucioneve financiare për reduktimin e krizës, qeveria shqiptare u përgjigjet me akuza, përçmim dhe arrogance tipike provinciale”.
Më tej Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë të marrë urgjentisht përsipër cdo detyrim dhe përgjegjësi dhe angazhim që lejtëson fillimin sa më parë dhe më efektiv të projekteve të vonuara ose të bllokuara që ka me BB dhe donatorë të tjerë, projekte shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë.
PS i bën thirrje qeverisë të marrë urgjentisht përsipër cdo detyrim dhe përgjegjësi dhe angazhim që lejtëson fillimin sa më parë dhe më efektiv të projekteve të vonuara ose të bllokuara që ka me BB dhe donatorë të tjerë, projekte shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë.
(s.g/BalkanWeb)