E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Maxhoranca po zvarrit komisionin Ad-Hoc për të fshehur rrezikun që u kanoset zgjedhjeve

Gjiknuri: Qeveria po bëhet penguese e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit.

Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka denoncuar qëndrimin e maxhorancës për zvarritjen dhe pengesat për krijimin e komisionit parlamentar Ad-Hoc. Krijimi i këtij komisioni u propozua nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe funksioni i këtij komisioni do të ishte monitorimi i procesit të ngritjes së infrastrukturës zgjedhore. Por, edhe pse kanë kaluar disa javë nga ky propozim, maxhoranca e ka mbështetur atë vetëm mediatikisht, por, nga ana tjetër, ka penguar dhe ka zvarritur ngritjen e komisionit parlamentar Ad-Hoc. Pikërisht për të denoncuar këtë zvarritje ka qenë sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri. Ai deklaroi në një konferencë për shtyp se refuzimi i maxhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar Ad-Hoc është një përpjekje për të fshehur të vërtetën dhe rreziqet që u kanoset zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Mungesa e transparencës dhe mos bërja publike e një grafiku të qartë të shpërndarjes në territor, po shoqërohet edhe me refuzimin sistematik të maxhorancës për ngritjen e një komisioni monitorues parlamentar, të përfaqësuar në shumicë nga opozita. Pikërisht kjo vendosmëri në refuzimin e ngritjes dhe krijimit të aksesit të nevojshëm opozitës në këtë proces, të bën të mendosh që vonesat, më tepër se paaftësi, janë një proces i mirëmenduar për të sabotuar këtë ndërmarrje”, - tha Gjiknuri.

Kartat

Vonesat në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit vijojnë të përbëjnë shqetësimin kryesor të Partisë Socialiste. Për selinë rozë ky fakt përbën kërcënimin kryesor ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Gjiknuri tha se edhe pse ka kaluar një muaj nga fillimi i procesit të aplikimit, ende asnjë shtetas shqiptar nuk është pajisur me karta identiteti. Sipas sekretarit për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, për t’u shqetësuar është fakti se qeveria po përpiqet që të shmangë transparencën në lidhje me këtë proces. “Përtej demagogjisë së shpërndarjes me karta, ajo që ka filluar të na shqetësojë më shumë është mungesa e plotë e transparencës dhe informacionit në lidhje me shpërndarjen e sistemit të aplikimit në të gjithë territorin e vendit. Përtej deklarimit zyrtar se brenda shkurtit procesi do të shtrihej në të gjithë vendin, jemi sot këtu, vetëm 10 ditë nga fundi i shkurtit, dhe procesi akoma nuk ka filluar në pjesën më të madhe të bashkive të vendit, pa le më komunat e vendit. Ne nuk duam të akuzojmë askënd pa fakte dhe prova konkrete, por njëkohësisht nuk mund të rrimë indiferentë kur ky proces nuk po ecën me ritmin e duhur dhe në një terr të plotë informacioni”, - tha sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Propozimet
Dy ditë më parë, Partia Socialiste bëri publike një tjetër paketë propozimesh, të cilat, sipas selisë rozë, do të shpëtonin zgjedhjet nga rreziku që u kanoset për shkak të ecurisë së ngadaltë të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Këto propozime u bënë nga sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade. Selia rozë kërkon nga qeveria që të hapë urgjentisht zyrat përkatëse për aplikimin në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Propozimi tjetër ishte krijimi i kushteve për njoftimin dhe lehtësimin e procedurave për shtetasit që nuk janë të pajisur me pasaportë, duke përcaktuar afate kohore konkrete. Kërkesa e tretë e PS-së në drejtim të qeverisë është përmbushja e detyrimit ligjor për të bërë transparencën maksimale të procesit të aplikimit, si dhe ndërmarrja e një fushate publicitare më të efektshme në median qendrore dhe atë lokale. Propozimi i katërt ka qenë ngritja e komisionit Ad-Hoc, i cili deri sot rezulton një kërkesë e zvarritur nga ana e maxhorancës.

Çështjet e denoncuara nga PS-ja si rrezik për zgjedhjet

1-Vonesat në shpërndarjen e kartave të identitetit

2-Heqja nga lista për pajisjen e shpejtë me karta identiteti të shtetasve që nuk kanë në përdorim pasaporta, të cilët njihen si votues të majtë

3-Krijimi i policisë elektorale

4-Dublikatat në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›