LSI-ja, marrëveshje bashkëpunimi me Sindikatën e Pensionistëve
Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Sindikatën e Pensionistëve të Shqipërisë. Vetë lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka firmosur kontratën e marrëveshjes me kryetarin e Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Pas ceremonisë së nënshkrimit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se ky bashkëpunim synon që të vendosë si prioritet shumë të rëndësishëm programor solidaritetin dhe mbështetjen për moshën e tretë dhe pensionistët. Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica, tha: “Ne do të punojmë përkrah Lëvizjes Socialiste për Integrim, që ky grupim i mrekullueshëm politik të fitojë dhe do të bëjmë çmos, sepse ne nuk jemi pak, por rreth 83 mijë anëtarë”. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, foli gjithashtu për projektligjin e propozuar nga LSI-ja për kujdesin ndaj moshës së tretë. Meta e cilësoi të turpshëm vendimin e maxhorancës për të rrëzuar këtë projektligj. “Kjo marrëveshje synon si prioritete programore jo vetëm deri më 28 qershor, ditën e zgjedhjeve por, ajo çfarë është më e rëndësishmja, pas kësaj dite në qeverisjen e ardhshme të vendit, të miratimit të menjëhershëm të projektligjit “Për kujdesin ndaj moshës së tretë”, që Lëvizja Socialiste për Integrim, Sindikata e Pensionistëve dhe ekspertë të shoqërisë civile përgatitën dhe dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë, prej gati më shumë se një viti, projektligj i cili u rrëzua pa asnjë argument nga qeveria e zotit Berisha”, - tha Meta.
18 Shkurt 2009