PS: Mbështesim kërkesat e minatorëve. RISHM: Policia të nxjerrë urgjent minatorët nga aty
Deputeti Arben Ahmetaj, i cili ishte para pak ditësh në Bulqizë, doli në një konferencë për shtyp në selinë e PS duke shprehur mbështetjen e partisë së tij për kërkesat e minatorëve.
PS mbështet kërkesat legjitime ekonomike të minatorëve dhe kërkon që qeveria të zgjidhë urgjent situatën e rënduar. Ministria e Ekonomisë i ka instrumentet që të detyrojë kompaninë ACR që të bëjë investimet e detyrueshme. Mosbërja e investimeve ka si pasojë rrënimin e minierës. Bërja e investimeve do të sillte dyfishimin e produktit, rritjen e përfitimit për minatorët, tha Ahmetaj.
Në atë minierë punohet akoma në kushte primitive me karroca dore si në vitin 1945. Shfrytëzimi barbar i minierës është shprehje e drejtpërdrejtë sesa në vëmendje e ka qytetarin e vet kjo qeveri. PS do mbështesë minatorët në kërkesat e tyre legjitime, vijoi më tej deputeti i PS.
Ahmeti tha se duhet një hetim ndaj punës së repartit për inspektimin e minierave, i njohur me emrin RISHM, që del çdo ditë nga dy- tre herë në konferencë për shtyp.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Ekonomisë të ndalojë talljet me deklaratat e RISHM, puna e të cilave kërkon një hetim të thellë. Puna e RISHM është shumë e rëndësishme. Por puna e RISHM-it ka munguar. Minatorët më thanë se si ka mundësi që RISHM kujtohet sot për atë minierë, kur aty punohet prej vitesh si në vitin 1945, tha Ahmetaj.
Ndërkohë, specialistët e Repartit të Inspektim- Shpëtimit të Minierave e cilësojnë si të rrezikshëm qëndrimin e 13 minatorëve në nivelin e 14-të të minierës së Bulqizës.
Në një konferencë për shtyp përfaqësuesi i RISHM-it ka theksuar se ndërprerja e punës nga minatorët grevistë të minierës ka shkaktuar shembje në nivelet 15 dhe 16-të të minierës dhe kjo përbën rrezik për 13-të minatorët grevistë ndërsa i ka bërë thirrje forcave të policisë të ndërhyjnë për të evakuuar minatorët nga galeria.