Aleksandër Biberaj: PD pa struktura partiake

Sipas anëtarit së PD-së, situata e krijuar në selinë blu përbën një grusht të rëndë institucional
Ish-deputeti Aleksander Biberaj i njohur për qëndrimin kundër kreut aktual Berisha e konsideroi vonesën e zgjedhjeve për strukturat drejtuese të PD-së si një grusht të rëndë institucional ndaj PD-së dhe të demokracisë.
Duke analizuar situatën brenda PD-së, ish anëtari i kryesisë së kësaj partie Biberaj , theksoi se që nga prilli i vitit 2009, veç institucionit të Kryetarit të Partisë, në të nuk egziston asnjë institucion tjetër legjitim dhe funksional.
"Suprimimi i të gjitha institucioneve/forumeve të Partisë nga Kryetari i saj përbën puç institucional dhe uzurpim te Partise, shkelje flagrante dhe dhunim ekstrem të statutit të Partisë, duke sjellë edhe fundin e demokracisë së brendshme në parti", tha Biberaj.
Ish deputeti demokrat e cilësoi situatën e krijuar brenda selisë blu si më rë rëndën që ka përjetuar kjo forcë dhe demokracia brenda saj që nga themelimi deri më sotdhe kjo për deputetin Biberaj vetëm për të kënaqur ambicjen e tij për pushtet kryetari Berisha.
"Situatë e krijuar nga Kryetari i Partisë, me qëllim kthimin e saj në parti-pronë, në parti-vegël në duart e tij, per kënaqjen e etjes së pakufishme për pushtet personal, si dhe për pasurim marramendes të tij dhe të një shpurë oborrtaresh, servilësh, të pa-aftesh, klientësh dhe te korruptuar rrotull tij", theksoi Biberaj.
Për ish kreun e kryesisë së PD, situata e krijuar brenda selisë blu përbën një zhvillim tepër regresiv jo vetëm për PD-në, por sipas tij edhe për demokracinë e brishtë shqiptare. Biberaj deklaroi se fryma e diktatit dhe mungesa e demokracisë në parti shfaqen në forma tepër arrogante edhe në qeverisjen e vendit.
Ai kërkoi reagimin e anëtarëve të kësaj partie për ti dhënë fund kësaj situate. "Kjo situatë kërkon nga demokratët e vërtetë, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e PD-së, nga të djathtët e vërtetë të ringrihen edhe nje herë ashtu si njëzet vjet më parë për parimet dhe vlerat e demokracisë, me qëllim reformimin tërësor dhe të thellë të një partie tashme të atrofizuar dhe inegzistente" apeloi Biberaj.
Ish deputeti demokrat kërkoi reformimin e thellë të PD-së gjë që bëhet sipas tij edhe më e domosdoshëm përballë një opozite jofunksionale dhe pa alternative politike.