PS: Meta, ministri i Jashtëm i Ruzhdies
Partia Socialiste reagoi dje pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në lidhje me mospranimin e kërkesës së kësaj partie për hapjen e kutive. Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, theksoi në një komunikim me mediat se Meta dhe Kryeministri Berisha po bëhen gati për të grabitur edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Madje Xhaçka nuk nguroi t’i cilësonte drejtuesit e mazhorancës, Metën dhe Berishën, si ministror dhe kryeministër të Ruzhdies, zonë ku Partia Demokratike pretendon se ka humbur një mandat deputeti. “Ministri i Jashtëm i Ruzhdies mesa duket, së bashku me Kryeministrin e Ruzhdies kërkojnë të grabisin edhe zgjedhjet e ardhshme, ashtu siç grabitën zgjedhjet e shkuara”, theksoi Xhaçka. Sipas saj, mazhoranca nuk duhet të bëjë retorika boshe, por duhet të hetojë në mënyrë të plotë procesin zgjedhor, ku përfshihet edhe hapja e kutive.
#