Banorët e fshatit Domje akuzojnë komunën për korrupsion
Banorët e fshatit Domje të Komunës Gurrë, në Rrethin e Matit, akuzojnë komunën se ka abuzuar me fondet e akorduara për ndërtimin e urës që lidh fshatin e tyre me rrugën nacionale. Sipas banorëve të zonës, fondi prej 7.5 milionë lekësh, dhënë nga qeveria shqiptare, për ndërtimin e kësaj ure është shpërdoruar nga firma ndërtuese. Sipas tyre, abuzimi është kryer me miratimin e komunës, e cila si autoriteti kontraktor i këtij investimi, nuk duhej ta lejonte një gjë të tillë. “Në ndërtimin e urës të fshatit tonë nuk janë zbatuar të gjithë zërat sipas preventivit. Pasi punimet anësore janë bërë me kavot e vjetra të ish-urës ekzistuese të amortizuar dhe jo me kavo të reja sipas preventivit të hartuar për ndërtimin e saj”, thotë kryeplaku i fshatit, Flamur Lleshi. Banorët shprehen se ndjehen të rrezikuar, pasi ura me gjatësi mbi 100 metra, nuk ka rrjetë mbrojtëse anësore. Kjo gjë sipas tyre rrezikon jo vetëm automjetet, por sidomos kalimin e fëmijëve, të cilët e përshkruajnë çdo ditë për të shkuar në shkollë. Ndërkohë, Bajram Pjetri, banor i këtij fshati, i cili ka qenë i punësuar nga firma tenderuese për ndërtimin e kësaj ure, tregon për “Shqip”, se kur ka kërkuar pranë firmës vendosjen e rrjetës anësore dhe kavove më të trasha sipas projektit të zbatimit dhe jo atyre të vjetrave, është pushuar nga puna. “Madje, firma nuk më ka paguar për punën që kam bërë deri në momentin që më pushuan. Nga 16 tiranta që ka ura gjithsej, vetëm 8 prej tyre janë të reja, ndërsa për 8 të tjerat janë përdorur kavot e vjetra”, tregon ai. Më tej, kryeplaku i fshatit, tregon se ka kontaktuar me drejtuesit e komunës Gurrë. “Unë u kam sugjeruar që kavot e vjetra mund t’i përdorim për ndërtimin e ndonjë ure tjetër, që mund të nevojitet në territorin e komunës tonë dhe jo të përdoren për ndërtimin e kësaj ure. Por, duket se komuna u bë palë në korrupsion me firmën tenderuese, pasi sugjerimet e mia ranë në “vesh të shurdhët”, ku siç dhe shihet në 50 për qind të rasteve u përdorën kavot e vjetra për ndërtimin e urës”, nënvizon kryeplaku.
#