E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ndërprerjet e energjisë elektrike vijnë nga paaftësia



Partia Socialiste i konsideron ndërprerjet e fundit të energjisë elektrike si dëshmi e paaftësisë për të zgjidhur problemet reale. Sekretari i PS-së për mjedisin dhe njëkohësisht kryetar i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, tha: “Tirana dhe e gjithë Shqipëria vijojnë të dëgjojnë përrallën e ndërprerjeve të energjisë për shkak defektesh teknike, ndërkohë që në fakt vijojnë të vuajnë defektin e pakorrigjueshëm të keqqeverisjes, paaftësinë për të zgjidhur problemet reale”. Drejtori i OST-së, Ymer Balla, tha sot për ATSH-në se "kufizimet e energjisë elektrike në kryeqytet do të bëhen vetëm në rastet kur ka mbingarkesë në rrjet për shkak të riparimit të linjës së transmetimit të energjisë 220 kV Vau i Dejës-Lezhë, pas dëmtimit që pësoi ditët e fundit nga moti i keq". Sipas tij, "brigadat e riparimit të avarive të OST-së janë në terren dhe po punojnë për vënien në punë sa më shpejt të linjës Vau i Dejës-Lezhë, ku janë tetë shtylla të dëmtuara".

PS: Po shkatërrohet mësuesia

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se ka braktisur profesionin e mësuesisë. Kryetarja e komisionit për edukimin në PS, Ledi Shamku, tha sot në një deklaratë për shtyp nga selia rozë se arsimtarët u ndien të tallur dhe të mashtruar nga qeveria në këto katër vite qeverisje të së djathtës. “Pasi arsimtarët u ndien të tallur e të mashtruar gjithë këta katër vjet me premtime për dyfishime pagash apo për status të veçantë, pasi u përbuzën e u përdorën si vegla pa vlerë të ca eksperimenteve të dështuara, sot të rinjtë tanë mund të zgjedhin të bëhen shoferë apo tregtarë, por jo mësues! Sot ky profesion në braktisje është në krizën e vet më të thellë, të panjohur kurrë më parë”. Sipas PS-së e vërteta e madhe tani është: “Në këtë vend askush nuk dëshiron më të bëhet mësues! Kjo forcë shkatërrimtare qeverisëse e vrau këtë profesion, vrau dëshirën e të rinjve dhe të rejave shqiptare për t’u bërë edukatorë brezash”. Duke sjellë shembuj si qyteti i Tepelenës, që sot vuan mungesën e mësuesve të matematikës, Shamku në emër të PS-së kritikoi qeverinë për premtimet për internet pa kufi, duke kërkuar rikthimin e dinjitetit të mësuesve. Sa i përket dinjitetit të mësuesve, Shamku theksoi se vetëm PS-ja është ajo forcë politike që mund ta rivendosë atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›