PS-ja bën një hap pas: “Për KQZ-në do flasim dhe me LSI-në”
Në momentin kur duket se janë shuar të gjitha shpresat që Lëvizja Socialiste për Integrim të bëhet pjesë e komisioneve që do të administrojnë zgjedhjet, PS-ja hedh shashkën e radhës në opinionin publik, duke lënë të nënkuptojë se ekzistojnë mundësitë teknike dhe politike që LSI-ja të mund të fitojë një anëtar në këto komisione. Megjithëse sipas kodit të ri përveç 4 anëtarëve që do të kenë dy partitë e mëdha, dy parti të vogla nga dy anët mund të propozojnë anëtarë të tyre me mbështetjen e partisë më të dy krahëve politikë. Debati po rihapet në këtë moment kur pritet të nisin negociatat për ngritjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë rast nëse PS-ja do të mbështeste një emër nga LSI-ja, ajo do të mund të fitonte një vend në KQZ e më pas dhe në komisionet zonale. Kastriot Islami, sekretar për çështjet zgjedhore në PS dhe një nga deputetët që është marrë me hartimin e kodit të ri lë të hapur mundësinë e përfshirjes së LSI-së në garën për anëtarin e KQZ-së. “Ka hapësirë që të kapet vonesa dhe të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet pritur futja e kodit në fuqi dhe në këtë moment Parlamenti do realizojë detyrimet e kodit siç është edhe ngritja e KQZ-së. Katër anëtarët i takojnë PS-së dhe PD-së. Do të zbatohet jo vetëm teknikisht, por edhe politikisht, që të ketë një konsensus sa më të gjerë mes forcave politike”. Në këtë pikë ai shprehet më tej: “Unë besoj se LSI-ja është forcë e madhe dhe nuk bëra asnjë përcaktim. PS-ja nuk do të vendosë asnjë kusht për bashkëpunim për të majtët e vegjël”. Deklarata e Islamit shënon një hap pas në politikën e Partisë Socialiste e cila ishte shprehur në mënyrë kategorike kundër çdo negociate me LSI-në për këtë çështje. Nuk dihet akoma se sa reale është kjo tërheqje, ndërkohë që deri më tani përflitet që anëtari tjetër i KQZ-së nga e majta do t’i takojë partisë së Skënder Gjinushit, duke pasur parasysh aleancën e ngushtë të tij me PS-në dhe rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2005. Nëse PS-ja do të mbështeste LSI-në për të marrë një vend në komisionet e administrimit të zgjedhjeve, do të bënte të mundur fitoren e betejës së gjatë politike të kësaj të fundit dhe do të ishte një hap për marrëveshje parazgjedhore. Por Islami nuk sqaroi nëse ka baza për një gjë të tillë, duke e mbajtur deklaratën e tij thjesht tek sqarimi i asaj çfarë parashikon Kodi Zgjedhor. Marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së janë futur në një qorrsokak, ku ka vetëm deklarata nga të dyja palët, por asnjë hap konkret për bisedime, duke e lënë situatën brenda së majtës kaotike në prag të zgjedhjeve. Të gjitha gjasat duket se do jenë për një të majtë të përçarë në zgjedhjet e 2009-ës, ku më shumë se do të bëjnë opozitë ndaj mazhorancës në pushtet, do të merren me ndasitë brenda vetes.
box
Si do funksionojë KQZ-ja e re
Numri 9 i anëtarëve, i përcaktuar në ndryshimin e parë të Kushtetutës për të favorizuar LSI-në dhe PDK-në, tani që KQZ-ja nuk është më organ kushtetues, kthehet sërish në 7.
Që të shtatë anëtarët do të zgjidhen vetëm nga Parlamenti dhe jo Presidenti apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk do ta kenë më këtë kompetencë në kodin e ri.
Mandati i KQZ-së ulet nga 7 në 4 vjet, në mënyrë që të përkojë gjithmonë me mandatin e Parlamentit, duke garantuar kështu balancën politike në KQZ.
Kryetari i KQZ-së zgjidhet në Parlament me një procedurë veçmas nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë mazhorancës. Nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës.
Dy grupet e mëdha parlamentare, në këtë rast, PD dhe PS, do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre.
Dy anëtarë të tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës, tjetri nga ajo e mazhorancës.