E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Ne jemi lokomotiva e opozitës”. Meta: “Duhet aksion i vërtetë opozitar”



Dy ditë pas takimit Rama-Meta dalin në pah ndryshimet dhe pikëpamjet e kundërta midis liderit të Partisë Socialiste dhe lideri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Kreu i selisë rozë ka hedhur poshtë idenë e bojkotit të Kuvendit nga ana e Berishës, ka kërkuar nga opozita që të mos mbetet peng i dorëheqjes së Berishës, ndërsa është theksuar më tepër në zmbrapsjen e ligjit për Prokurorinë. Nga ana tjetër, Rama ka theksuar se PS-ja ka në opozitë rolin e lokomotivës për çështjet madhore. Kjo u deklarua dje edhe nga kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila tha: “PS-ja është partia lider, e cila udhëheq rolin opozitar për të gjitha problemet e mëdha dhe të rënda që po përballon vendi, probleme që kanë të bëjnë me varfërinë, probleme që kanë të bëjnë me korrupsionin, me Drejtësinë dhe me sigurinë. Është një rol të cilin ne do vazhdojmë ta bëjmë. Ne do të mbetemi të hapur për të vazhduar diskutimet, tryezat me të gjithë aleatët, ashtu siç i kemi ftuar edhe më parë”, - tha Leskaj. Tjetër mendim dhe qëndrim ka ndarë kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ai përsëriti dje qëndrimin e prerë se për të larguar kryeministrin Berisha nuk duhen retorikat boshe, por imponimi i opozitës dhe intensifikimi i luftës dhe përpjekjeve konkrete të saj. “Ne nuk jemi për retorikë boshe ‘anti-Berishë’, e cila nuk e ndihmon opozitën që të frenojë arrogancën e tij dhe balancojë nga pikëpamja institucionale pushtetet në vend, të cilat kanë humbur ekuilibrin në mënyrë tepër të rrezikshme, pas 21 prillit, në favor të kryeministrit Sali Berisha. Ne jemi për objektiva konkrete dhe për rrëfime konkrete të opozitës në Parlament dhe jashtë Parlamentit, por gjithmonë sipas standardeve demokratike, që imponojnë dorëheqjen e Berishës sot”, - u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së theksoi se është e gabuar që të presësh ikjen e Berishës në vitin 2009, kur dihet që reforma zgjedhore ende nuk është realizuar dhe kur dihet që Berisha gjithmonë ka tentuar të manipulojë zgjedhjet. “Atëherë çfarë presim? Presim që ai të manipulojë dhe të vjedhë zgjedhjet në 2009 Berisha, si në vitin 1996 dhe pastaj të kërkojmë sensibilizimin opinionit ndërkombëtar dhe njëkohësisht atij vendas, kur të jetë tepër vonë”, - u shpreh Meta.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›