PS: Një gjykatës për të miturit do shqyrtojë dosjen “Fazlliç”
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se me anë të kancelarëve po bën që dosjet më të rëndësishme për korrupsion në historinë e këtij vendi të kalojnë në duart e gjykatësve që njihen si përkrahës të qeverisë, por dhe që nuk plotësojnë kushtet për të bërë një gjykim të tillë. Në një deklaratë për mediat, kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare të PSSH, Ylli Manjani tha se po manipulohet qëllimisht me gjykimin e dosjeve “Basha” dhe “Fazlliç”.
Manjani tha se i njëjti gjykatës që ka shqyrtuar pezullimin e afateve për dosjen e Bashës duhej të shqyrtonte dhe kërkesën e dytë. “Sot, ne ngremë zërin për manipulimin e shortit për gjykimin e dy dosjeve që janë bërë objekt i debatit publik dhe që lidhen njëra me Lulzim Bashën dhe tjetra me sekserin serb të Sali Berishës.
Të dyja këto dosje janë devijuar drejt gjykatësish të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike dhe kjo ka ndodhur në shkelje të plotë të Kodit të Procedurës Penale, të ligjit e të etikës së domosdoshme për çdo lloj gjykimi e jo më për gjykimin e këtyre dy skandaleve të mëdha me prapavijë të qartë politike e dëme të dukshme ekonomike e morale për qytetarët shqiptarë.
Në bazë të nenit 278/2 të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha veprimet hetimore dhe vlefshmërinë e tyre i shqyrton i njëjti gjyqtar, pra, në rastin konkret, gjyqtari, i cili gjykoi tri jave më parë kërkesën për pezullimin e afateve lidhur me hetimin e dosjes penale të Lulzim Bashës, duhet të shqyrtonte edhe kërkesën e të pandehurit Lulzim Basha. Por, kjo nuk ndodhi dhe përmes kancelarit të kontrolluar politikisht nga Ministria e Drejtësisë dhe në kundërshtim flagrant me kërkesat e Procedurës Penale, u hodh një short i paligjshëm që e çoi ministrin e Partisë Demokratike në duart e një gjykatësi të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike”, - tha Manjani.
Duke folur për dosjen “Fazlliç”, Manjani tha se ajo do të gjykohet nga një gjyqtar i seksionit të të miturve. “Ndërsa, nga ana tjetër, u mor një gjyqtar i seksionit të të miturve, por i lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike për të gjykuar dosjen e Damir Fazlliçit, i cili, siç e dinë të gjithë, nuk është aspak i mitur, por përkundrazi një i rritur që ka probleme madhore me ligjin e që është kthyer në një problem madhor për Sali Berishën.
Duke nënvizuar se, kur sistemi i drejtësisë shqiptare merret me ministrat, trajtimi i çështjeve të lidhura me ta është gjykuar gjithnjë vetëm nga Gjykata e Lartë, në bazë të kërkesës së Kushtetutës, por edhe të praktikës së gjykatës së Tiranës, ne e denoncojmë publikisht këtë farsë politike dhe i bëjmë apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia, sepse asnjë gjykim i cenuar ligjërisht e moralisht nuk mund ta shpëtojë nga drejtësia as ministrin e pandehur dhe as sekserin serb të Sali Berishës”, - tha Manjani.
PD: Prokuroria e kapur nga PS
Demokratët reaguan dje pas deklaratës së PS me anë të deputetit Aldo Bumçi. Duke folur për gazetarët, Bumçi tha se kjo tregon qartë se akuzat ndaj Bashës dhe Fazlliçit po gatuhen në zyrën e Edi Ramës. Ai tha se prokuroria po manipulohet nga Partia Socialiste. Bumçi e quajti deklaratën një presion ndaj prokurorisë. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të z. Rama, manipulimin e ulët që i bën Prokurorisë së Përgjithshme dhe sulmet ndaj drejtësisë, i kujtojmë se Shqipëria është vendi i shtetit ligjor dhe i qytetarëve të lirë. Deklarata e sotme në media përbën një përshkallëzim të ri të presionit ndaj drejtësisë, duke dëshmuar dhe një herë që Rama është formuluesi i akuzës politike ndaj ministrit Basha”, - tha Bumçi.
Duke sqaruar më konkretisht akuzat, deputeti demokrat u shpreh se kancelari i gjykatës së Tiranës është një i zgjedhur nga socialistët dhe se ndarja e çështjeve kryhet me short elektronik. “Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se Kancelari i Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë është z. Ilir Gjergj Sauli, i emëruar në vitin 2004 nga ministri i Drejtësisë i kohës, Fatmir Xhafaj. Shorti për ndarjen e çështjeve për gjykim kryhet në mënyrë elektronike”, - tha Bumçi.
Kancelari Sauli: Jam në punë që në kohën e PS
Kancelari i gjykatës së Tiranës, Ilir Sauli, reagoi dje në lidhje me deklaratën e Partisë Socialiste. Duke theksuar faktin që ka shumë vite në këtë detyrë, që nga koha kur në pushtet ishte PS, ai tha se shorti për çështjet hidhet në mënyrë elektronike.
“Shorti për çështje penale dhe civile në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë hidhet në mënyrë elektronike, pra caktimi i gjyqtarëve bëhet me anë të një programi kompjuterik, i cili nuk bën asnjë dallim mes gjyqtarëve të Dhomës Penale, kur çështja është penale dhe mes gjyqtarëve të Dhomës Civile, kur çështja është civile. Kancelari i gjykatës nuk bën asgjë tjetër përveçse bën përcjelljen e praktikës te gjyqtari përkatës sipas rezultateve të shortit. Programi ARK IT është iniciuar nga fondacioni SOROS, si dhe në vazhdimësi është financuar nga USAID dhe aplikohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe në disa gjykata të Republikës që prej vitit 2002”, - tha Sauli.
“Ju sqarojmë se në bazë të Ligjit Nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Neni 9 parashikon që ndarja e çështjeve gjyqësore bëhet me short, sipas procedurave të caktuara me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa kancelari në bazë të Nenit 38 të këtij ligji mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar.
Prej pothuajse pesë vitesh që unë punoj në detyrën e kancelarit, shorti është hedhur në mënyrë elektronike dhe kjo mënyrë ka hequr përfundimisht të gjitha dyshimet e mundshme që kanë ekzistuar më parë për manipulimin e shortit duke siguruar transparencën e plotë të tij.”
Ndërsa duke komentuar deklaratën se padia e dytë e Bashës duhej të ishte shqyrtuar nga i njëjti gjykatës që shqyrtoi padinë për pezullimin e zgjatjes së hetimeve, Sauli tha se të gjitha kërkesat përgatiten për short. “Lidhur me hedhjen në short të kërkesave të bëra nga prokuroria ose nga pala mbrojtëse nuk evidentohet fakti që kërkesat e bëra të jenë brenda një hetimi të zhvilluar për një çështje të caktuar, si dhe duke qenë nën hetim shumë persona të lidhur në një çështje, nuk mund të evidentohet kalimi i këtyre çështjeve të njëjtit gjyqtar, sipas Nenit 278/2 të K. Pr. Penale.
Të gjitha kërkesat që paraqiten në sportelet e gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë pranë kryesekretarisë duhet të regjistrohen dhe të përgatiten për short prej administratës gjyqësore, dhe në të tilla raste nuk është administrata gjyqësore, e cila vendos për kalimin e çështjeve pranë të njëjtit gjyqtar, por duhet t’i kërkohet gjyqtarit, të cilit i ka kaluar çështja për shqyrtim prej përfaqësuesit të prokurorisë ose palës mbrojtëse, nëse ai është kompetent apo jo. Në këto kushte i takon gjyqtarit të vendosë mbi shqyrtimin e kësaj kërkese”, - tha Sauli.