E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot kryesfida e kreut Skënderbeu–Gramozi

 

Kategoria e parë dje ka luajtur një pjesë të ndeshjeve të javës së trembëdhjetë. Kanë mbetur për t’u zhvilluar dhe tre ndeshje të tjera, ku në plan të parë është kryesfida e kreut mes Skënderbeut vendas dhe Gramozit. Korçarët, edhe pse kanë luajtur në mesjavë ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Dinamon, të cilën e fituan minimalisht 1-0, moralisht janë gati për të patur një tjetër fitore ndaj Gramozit. Një sfidë shumë interesante duket dhe derbi i fqinjëve Laçi-Besëlidhja, një fitore e kurbinasve të Edi Martinit do të thotë barazimi pikësh me Kastriotin, por dhe vendi i tretë. Një shans për t’u ngritur ka dhe Dajti, që sot, në “Skënder Halili”, do të luajë përballë Turbinës. Në ndeshjet e zhvilluara sot bie në sy që skuadrat vendase kanë bërë “namin”. Kastriotin, të gjithë “inatin” e grumbulluar të mërkurën pas humbjes në Krujë me Besën, e ka zbrazur ndaj Naftëtarit, kur ka fituar thellësisht 3-0. Osuji, Ziambo dhe Tali ishin autorët e golave të skuadrës së Ramadan Ndreut, kurse krutanët, me 23 pikë, ndodhen në vendin e tretë. Vazhdon kriza e Naftëtarit, kurse kjo humbje në Krujë është e dyta radhazi, ndonëse pat marrë masa presidenti i kuçovareve për të larguar të paaftët nga skuadra. Ndërkaq një “shuplakë” e fortë për Sopotin ka qenë dje humbja e thellë në Bilisht. 5-0 ka fituar Bilisht-Sporti, kur Larti, Avdo, Udeke dopietë e Myderezi kanë shkërmoqur librazhdasit e Besnik Kolës, të cilët kishin shkuar me të tjera ambicie në Bilisht. E lehtë ka qenë fitorja e Tërbunit ndaj Pogradecit. 1500 shikuesit pukjanë janë kënaqur kur kanë parë nga një gol për çdo pjesë loje dhe Tërbuni ka marrë tripikëshin e radhës. Në të njëjtën kohë minimalisht ka fituar dhe Burreli me Luftëtarin. E bukur ka qenë dhe fitorja e Skraparit, 3-0 me Adën, kurse për Edmond Dalipin si trajner ishte fitorja e dytë radhazi. Kjo ishte java e trembëdhjetë e kategorisë së parë, e cila do të mbyllet sot me kryesfidën Skënderbeu – Gramozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›