E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria dërgon dosjen “Basha” në Gjykatën e Lartë

Nga Bledar Lumani

Mbrojtësi i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, nuk ka pranuar dje që të firmosë dosjen në ngarkim të klientit të tij. Kjo, duke qenë se avokati Zef Nikaj i ka cilësuar si të paligjshme veprimet e prokurorisë për marrjen nën cilësinë e të pandehurit të Bashës. Sipas tij, ish-ministri i Transporteve, i cili akuzohet për abuzime në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, duhet të cilësohet si person nën hetim dhe jo i pandehur. Për këtë arsye. Nikaj nuk ka pranuar të firmosë dosjen me akuzat ndaj klientit të tij. Në fakt, mbrojtësi i Bashës është paraqitur në prokurori, pasi, nëse nuk do ta bënte një gjë të tillë, prokurorisë do t’i duhej që të caktonte një avokat të zgjedhur kryesisht, teksa do ta dërgonte Bashën në gjykatë si të pandehur në mungesë. Sakaq, po gjatë ditës së djeshme, prokurori i dosjes së rrugës Durrës-Kukës, Arben Kraja, deklaroi se kjo dosje do të dorëzohet në Gjykatën e Lartë, e cila do të vendosë për aktet procedurale të hetimeve ndaj ministrit Basha. “Basha është person me imunitet, është deputet dhe ministër, ndaj tagrin për të vendosur e ka Gjykata e Lartë dhe jo ajo e Shkallës së Parë”, - u shpreh në fjalën e tij prokurori Kraja. Ndërkohë burimet thonë se tashmë dosja e shumëpërfolur ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Sipas Krajës ditën e hënë prokuroria do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë të marrë një vendim, nëse duhet të vazhdojnë apo jo hetimet për ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Vetëm dy ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet rrëzoi prokurorinë, duke vendosur që do të jetë pikërisht ajo që do të vendosë, nëse do të vazhdojnë apo jo hetimet ndaj Bashës. Kjo solli dhe një përplasje të fortë mes organit të akuzës dhe gjykatës, teksa prokuroria kërkoi përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari. Kjo, duke qenë se sipas prokurorisë, gjyqtarja u tregua e njëanshme gjatë dhënies së vendimit. Prokuroria kërkon që vendimi në lidhje me vazhdimin e hetimeve ndaj ministrit të Jashtëm të merret nga Gjykata e Lartë, pasi ky i fundit është deputet dhe anëtar i Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, mbrojtësi i Bashës, për të fituar kohë, ka dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë një kërkesë për ndërprerjen e hetimeve. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht shef i diplomacisë shqiptare, akuzohet nga prokuroria e Tiranës për shkelje gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 230 milionë eurosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›