Anulohet Asambleja për kreun olimpik. Ademi: U shkel statuti
Shtyhen zgjedhjet për drejtuesit më të lartë të olimpizmit shqiptar. Me këtë vendim ka dalë dje në orën 13:00 komisioni i Votimit në Asamblenë e 14-të Zgjedhore, nëpërmjet kryetari të saj Myftar Fana. Kandidati për postin e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Esat Ademi kërkoi ndërprerjen e votimit dhe marrjen pjesë në proces të sportistëve olimpikë. Ish-presidenti i Federatës së Peshëngritjes ngriti zërin se drejtuesit aktualë të organit më të lartë olimpik në kundërshtim të plotë me statutin kanë përjashtuar nga votimi olimpistët kuqezi. “Të respektohet statuti, ligji dhe demokracia. Jashtë kësaj dere presin Ilir Suli, Ymer Pampuri, Romela Begaj. Këta duhet të ishin në Asamble. Nëse kemi bërë një gabim, por të mos bëjmë një të dytë. Olimpistët duhet të jenë sepse ata janë krenaria e sportit. Nuk vendos Komiteti Ekzekutiv sesa do të marrin pjesë, një apo dy. Si mund të rrijë jashtë Sahit Prizreni, Erkand Qerimaj apo Romela Begaj. As nuk e kam parë listën dhe as nuk e kam ditur programin e Asamblesë. Nuk m’u dha mundësia asnjëherë të shkel derën e Komitetit Olimpik Shqiptar, kurse me kolegun tim është vepruar krejt e kundërta. Mendoni vetë, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv Përparim Ferunin nuk e lejuan të futet brenda”, u shpreh Ademi. Kur ora tregonte 11:40 do të fillonte edhe procesi i votimit, i cili do të vijonte normalisht. Por do të ndërpritej pasi Ademi tentoi të griste procesverbalet. Në këtë moment është dashur edhe ndërhyrja e rojeve e sigurisë. Në pamundësi për të vazhduar Asamblenë, komisioni i votimit vendosi pezullimin për një orë të procesit. “Komisioni i shqyrtimit të votave duke parë gjendjen e zgjedhjeve vendosi anulimin e procesit. Komiteti Ekzekutiv i Komiteti Olimpik është funksional bashkë me komisonibn e zgjedhjeve. Në bashkërendim me mendimin e komitetit olimpik evropian do të vendosin dhe do t’iu njoftojmë për datën e ardhshme të Asamblesë.”, u shpreh kryetari i Komisionit te Votimit, Myftar Thana. Ndërkohë kandidati për postin e presidentit të Komitetit Olimpik deklaroi se nuk do të tërhiqet nga kjo garë edhe pas kësaj situate. “Kam sakrifikuar për votën, për sportistët, për olimpizmin dhe për njerëzit e nderuar të sportit. Asnjëherë nuk të tërhiqem nga rregulli, demokracia dhe ligji”, u shpreh Ademi.