Berisha: Bamir Topi e riktheu Kodin për t’i dhënë një tjetër mundësi Ilir Metës
Kryeministri, Sali Berisha, u shpreh dje se kthimi i Kodit nga ana e Presidentit të Republikës nuk ka të bëjë më shumë me kundërshtinë që bie ai me Kushtetutën, por për t’i dhënë Metës një mundësi të dytë. I ftuar në emision “Log” të gazetarit Artur Kopani në TVSH, Berisha tha se presidenti duhet të tregohet i sinqertë dhe ta thotë hapur qëllimin e tij për kthimin e Kodit. Gjithashtu, Berisha u shpreh se, në asnjë mënyrë mazhoranca nuk është për shtyrjen e zgjedhjeve në vjeshtë, ashtu siç është përfolur kohët e fundit, por zgjedhjet do të zhvillohen ashtu siç e përcakton Kushtetuta, në muajin qershor. “Kthimi i Kodit nga ana e presidentit nuk mendoj se shkakton vonesa. Presidenti në këtë rast ka ushtruar një të drejtë kushtetuese, por, për të qenë i hapur, ai e kthen me motivin se duheshin nëntë muaj. U mbajt në Presidencë për të kaluar nëntëmuajshin. Së dyti, Kushtetuta prevalon, pra presidenti është i detyruar të dekretojë zgjedhjet jo më vonë se 45 ditë nga dita e mbarimit të mandatit të parlamentit. Presidenti e kthen atë, sepse duhet të ketë një ujdi mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, dhe unë jam dakord, s’jam kundër. Ka pasur një grevë të 11 deputetëve, pra duhet të thotë haptazi se unë po e kthej dhe një herë për të pasur një mundësi mes këtyre dy faktorëve. Sepse, e shprehu qartë, kur ishin ata në grevë, dhe shprehu atë prerogativë që gjeti në ligj. Për mua s’ka problem, e kam thënë dhe e them prapë, është i zotit Gjinushi apo i zotit Meta komisioneri, s’është problemi im. Pra, nuk e di, nëse do të ketë një proces mes Ramës dhe Metës, ma do mendja se ky duhet të ishte qëllimi i kthimit, dhe mirë ishte të shpallej. Unë nuk jam për t’i shtyrë asnjë ditë zgjedhjet. E vetmja gjë që nuk pranojmë, është shtyrja e zgjedhjeve. Nuk mund të bëhen zgjedhjet siç duam ne, por siç e thotë Kushtetuta”, - tha Berisha.
Çështja “Durrës-Kukës”
Në lidhje me rrugën Durrës-Kukës, Berisha u shpreh se ish-ministri i Transporteve, sot ministër i Jashtëm, ka zbatuar vetëm vullnetin e kryeministrit dhe të qeverisë për këtë çështje. Sipas tij, nuk janë abuzimet ato që ngrenë akuzat për Bashën, por armiqësia politike që ka opozita ndaj rrugës së kombit, siç e quajti ai. “Ndaj rrugës ka pasur një armiqësi të madhe. Për rrugën ministri Basha nuk as edhe një vendim individual. Ka zbatuar me përpikmëri vullnetin e hekurt dhe të kryeministrit për të ndërtuar rrugën. Ka zbatuar ligjet e kohës dhe vendimet, të cilat kanë qenë të qartë që në procedurë. Të akuzosh rrugën, bën një Don Kishot politik. Ky vend është me probleme, por absolutisht është vend shumë më i mëkëmbur seç kujtojmë ne. Kjo është një dosje tërësisht politike, e manipuluar, nga ato që manipulojnë dhe i bëjnë dëm atij institucioni. Historia e tij është e dhimbshme, sa herë ky institucion është përdorur për qëllime politike, ka dështuar. Të mbash dosjen dy vjet dhe të kërkosh shtesë, kur nuk e ke thirrur tjetrin asnjëherë... Ky projekt mbikëqyret nga dy ekspertë ndërkombëtarë. Çmimet bërtasin. Po, sepse është zgjedhur varianti më i vështirë, sepse në 60 kilometra lëvizin 30 milionë metra kub dhera, ndërkohë në autostrada të tjera të rajonit janë lëvizur vetëm 19 milionë metra kub. Edhe në Rumani ndodhi e njëjta gjë, por atje u konsiderua si korrekte, e njëjta kompani ishte, “Bechtel”, - tha Berisha. Nga ana tjetër, Berisha e ka konsideruar kreun e opozitës si një antiglobalist të pandreqshëm. “Dua t’i them kryetarit të opozitës se është një antiglobalist i mirëfilltë. Se të nxjerrësh para Kryeministrisë një grusht njerëz ndaj një njeriu që ka faktuar ndaj Shqipërisë ndjenjat më të sinqerta, është urrejtje e verbër. Ne vetëm ujëra kemi për të shfrytëzuar 20 milionë kilovatorë të tjera”, - u shpreh kryeministri.
Dhjetor ‘90, Berisha: Në atëherë luftonim për të mposhtur frikën te vetja dhe te njerëzit
Kryeministri, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në emisionin “Log” ka sjellë dhe copëza kujtimesh të viteve 1990 deri në vitin 1992, kur PD fitoi zgjedhjet e para. Berisha foli për rolin e një sërë protagonistëve të asaj kohe, ndarjet dhe bashkimet e protagonistëve, rolin e Azem Hajdarit e të tjerëve, të cilët ngritën studentët në protesta, derisa erdhi dhe themelimi i partisë së parë opozitare, në vendin më të egër të diktaturës komuniste në Evropë. “Për Shqipërinë që po vinte ne dinim po aq sa mund të dijë për jetën e tij një fëmijë i porsalindur. Kemi shkuar pas dy muajsh në Amerikë me të ndjerin Gramoz Pashko. Autoriteteve të atjeshme u thamë: “Të themi të drejtën, ne, që të dimë të bëjmë ndonjë fushatë, nuk dimë”. Çfarë kishim mësuar nga propaganda e asaj kohe dhe çfarë kishim parë në TV italiane ishte e gjithë eksperienca jonë. Më tetë dhjetor të vitit 1990, më shumë se katër të pestat e shqiptarëve nuk kishin përjetuar as edhe një ditë të lirë. Unë isha nga ata shqiptarë që kisha udhëtuar jashtë, por sërish nuk isha ndjerë i lirë, sepse kisha mbi vete barrën e një njeriu të shtypur. 8 dhjetori i vitit 1990 më ka gjetur me një vendim të marrë më parë, me gjakftohtësi të plotë në akord me familjen time, vendim të cilin unë e quaj vendimin më të rëndësishëm të jetës time. Vendosa të mos konformohesha më. Një sëmundje e tmerrshme e inteligjencës është konformizmi. Ka qenë një vendim, i cili më çliroi mua nga çdo lloj impresionizmi. Fillova të shkruaja, që më parë madje, shkrimet e mia të fundit kanë qenë në shtator të vitit 1990. Në atë kohë, në rast se shihja se më ndiqnin, unë qeshja, se thosha si s’e kuptojnë që unë kam marrë një vendim dhe po harxhojnë kohë. Lëvizja jonë në radhë të parë ishte një lëvizje që vrau frikën. Azem Hajdari u shndërrua në një lëmsh të zjarrtë, i cili ka vrarë frikën në këtë vend, më shumë se cilido tjetër në historinë e tij. Dhe mund të ketë bërë gjatë vitit të parë qindra e qindra takime, që të gjitha për çlirimin e njerëzve nga frika. Sepse vërtet u mbushën sheshet, por terrori reagoi me egërsinë më të madhe. Në shkurt, rrugët e Tiranës u përgjakën, u vranë rreth 12 qytetarë, në rrethe kishte burgosje të shumta. Regjimi, pasi i mposhti, bëri çdo përpjekje për të ndjekur rrugën e Millosheviçit. Ramiz Alia bashkoi të gjitha fijet e regjimit. U gjetën dhe majtistë evropianë që filluan të flasin dhe për korbin e Ballkanit, i cili kishte firmosur në vitet ‘50 vrasjen e ajkës së kombit. Nuk prisnim që në zgjedhjet e vitit 1991 të humbim. Ne morëm 40 për qind të votave, aq sa mund të numëronim ne në atë kohë, dhe 30 për qind të parlamentit. Por ne ishim një grup që nuk u dekurajuam. Me anë të një serie grevash, protestash, daljesh nga qeveria e me radhë, ishin lëvizjet politike që e nxorën Shqipërinë në arenën e vërtetë të regjimit demokratik. Dalja jonë nga qeveria e koalicionit nuk ka qenë këshillë e perëndimorëve, ka qenë një vendim i marrë nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi, me bindjen se regjimi po abuzonte me qëndrimin tonë në qeveri. Ai ka qenë një vendim shumë i drejtë që i hapi rrugën një fitoreje si ajo e 22 marsit, që bëri që Shqipëria të hynte në rrugën e reformave të mëdha. Ata që u larguan atëherë, i riktheu ideali dhe aspirata. U rikthyen për motivin që u bashkuam atëherë, ne ishim njerëz të fushave të ndryshme, pa ndonjë shoqëri personale, u bashkuam për aspiratat dhe idealet që ndanim. Në rrugë e sipër u ndamë, por, siç faktohet, nuk ishte një ndarje përfundimtare, sepse faktorët që na bashkuan në vitin 1990 ishin më të fortë se ato që na ndanë”, - tha Berisha.