PS: Nuk kemi struktura paramilitare

Eglantina Gjermeni
Partia Socialiste deklaron se zgjedhjet e 2013-s nuk do të mbrohen me struktura paramilitare, por do të jenë qytetarët ata që do të bëjnë ndryshimin. Deputetja Eglantina Gjermeni i kundërpërgjigjet në këtë mënyrë ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, i cili e quajti të jashtëligjshme mënyrën e PS-së për mbrojtjen e votës. Jemi besimplotë që vetë qytetarët shqiptarë, vetë në të gjithë do të jemi aty për mbrojtjen e votës. Nuk e kemi varur fatin e mbrojtjes së votës vetëm te grupet militare. Unë besoj te fakti që e gjithë kjo përvojë, e gjithë kjo periudhë e vështirë krize ekonomike, politike, sociale ka bërë shqiptarët të pakënaqur, ka arritur thika në kockë, dhe dëshirojnë ta ndryshojnë këtë gjë. Besoj dhe mendoj që jemi të aftë ta bëjmë përmes votës së lirë, tha Gjermeni. Deklarata e Gjermenit ishte në përgjigje të deklaratës së ministrit të Brendshëm, Flamur Noka. Është e turpshme që sot në vitin 2012, 20 vjet demokraci në këtë vend, që në Shqipëri të ketë ende forca politike që mendojnë se do të operohet me operacione zgjedhore me paramilitarë, është shprehur ministri Noka, duke shtuar se qeveria ka marrë të gjitha masat për një proces demokratik.
Milo e Gjinushi: Duam vëzhgues zgjedhorë
Aleatët e PS i kanë kërkuar Edi Ramës të kenë në komisione vëzhgues zgjedhorë. Kreu i PDS, Paskal Milo dhe ai socialdemokrat, Skënder Gjinushi, bazuar dhe në Kodin e ri Zgjedhor, i kanë kërkuar kreut socialist në takimet që kanë pasur pak ditë më parë që tu japin atyre mundësi që në komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve të kenë mundësinë e një vëzhguesi të tyre. Sipas Kodit Zgjedhor, kur partitë janë në koalicion, është partia drejtuese e tij që ka të drejtën e përcaktimit të tyre. Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka vetëm koalicioni, thuhet në Kodin Zgjedhor. Meqenëse dy partitë e koalicionit të PS nuk kanë mundësi të kenë anëtarë të komisioneve zgjedhore, ata i kërkojnë Ramës të kenë të paktën të drejtën për të pasur vëzhgues. Ende nuk ka një përgjigje nga kryesocialisti dhe pse një përgjigje e tillë do të jetë më e qartë në kohën e ndërtimit të koalicionit opozitar. Por, kërkesa e dy partive, PDS dhe PSD, bëhet dhe në momentin kur pas refuzimit të korrektimit të sistemit zgjedhor ata do të shikojnë strategjinë e tyre elektorale për zgjedhjet e 2013-s.
