PS-PD, dy muaj kohë për zgjidhjen e krizës

Palët politike në vend e humbën mundësinë për ta zgjidhur krizën politike në vend brenda këtij sesioni parlamentar dhe tashmë kanë vetëm dy muaj afat për të gjetur konsensusin për zgjedhjet parlamentar të 28 qershorit. Burimet nga Partia Demokratike dhe Socialiste bëjnë të ditur se aktualisht negociatat e nisura prej kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozit, dhe homologut të tij socialist, Gramoz Ruçit, janë ndërprerë për të rinisur në muajin shtator. Me rinisjen e sesionit të ri parlamentar pritet të rinisin edhe negociatat mes palëve. Konsensusi për zgjedhjet e shkuara parlamentare duhet të gjendet mes PD-së dhe PS-së përpara fillimit të muajit nëntor. Kjo sepse në këtë kohë në Parlamentin Europian pritet të shqyrtohet edhe kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Në mënyrë të qartë, ambasadori i Belgjikës në Shqipëri, Mark Mishlsen, u bëri thirrje palëve politike që ta gjejnë zgjidhjen për krizën politike brenda muajit tetor, sepse moszgjidhja e saj do të kishte efekte negative për sa i përket kërkesës së Shqipërisë për të avancuar në procesin e integrimit. Kështu, nëse palët nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje për krizën edhe në muajt shtator dhe tetor, atëherë Shqipëria nuk do të përmbushë kriterin politik, i cili ka një rëndësi të veçantë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se shkak për mosarritjen e një kompromisi mes palëve është bërë mospasja e një qëndrimi të përbashkët për sa i përket mënyrës se si do të trajtohen edhe fletët e votimit të zgjedhjeve të një viti më parë. Ngërçi kryesor lidhet me faktin se PD ofron si zgjidhje të vetme për çështjen e hapjes së kutive të votimit dërgimin e kërkesës nga ana e PS-së në Gjykatën Kushtetuese. Më pas, sipas demokratëve, vetëm kjo gjykatë ka të drejtën ta nisë ose jo për shqyrtim në Komisionin e Venecias këtë çështje. Nga ana tjetër, socialistët nuk kërkojnë të fusin në mes të rrugës për në Venecia Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre, kërkesa për hapjen e kutive të votimit duhet të çohet në këtë komision këshillor nga i gjithë Parlamenti shqiptar dhe jo nga një gjykatë. Negociatat mes krerëve të grupimeve parlamentare për gjetjen e një kompromisi nisën më 14 korrik dhe po në këtë muaj u zhvilluan dy takime mes Patozit dhe Ruçit. Në takimin e parë palët ranë dakord që të ngrenë një komision të ri hetimor për sa i përket shqyrtimit të ankesave të PS-së për zgjedhjet e kaluara, por po kështu edhe për të përmirësuar legjislacionin zgjedhor. Përgjatë bisedimeve, palët ranë dakord që në këtë komision të shqyrtoheshin edhe materialet e kutive të votimit dhe opozita të kishte drejtimin dhe shumicën në këtë komision.
#