E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, akuza për trafik droge e pastrim parash

Gjykata lë në burg pesë biznesmenët që dyshohen se trafikuan heroinë në Itali

Gjykata e Krimeve të Rënda ka verifikuar dje masën e sigurisë ndaj pesë biznesmenëve të arrestuar për trafik droge, ndërsa janë intensifikuar hetimet e prokurorisë nën akuzën e pastrimit të parave, ku u janë kërkuar bankave të niveleve të dyta informacion mbi llogaritë bankare të të arrestuarve.
Kolegji Penal ka lënë në burg të arrestuarit gjatë operacionit “Ndërtuesi” Arben Velikon, Latimir Hoxhën, Panajot Dhiamandin, Sokol Kashtën dhe Orges Jahelezin, ndërsa organi i akuzës deklaroi se ka prova për të vërtetuar se këta shtetas, në bashkëpunim me disa të tjerë në Itali, kanë trafikuar dhjetëra kilogramë heroinë. Prokurorët Besnik Muçi dhe Edvin Kondili i paraqitën gjykatës disa nga provat për të arrestuarit, ndërsa kanë saktësuar se hetimet ndaj këtyre shtetasve po përqendrohen edhe në veprën penale të pastrimit të parave. Ka dyshime se të ardhurat nga aktiviteti kriminal i trafikut të narkotikëve në Itali janë investuar në Shqipëri, kryesisht në zona turistike në Vlorë, Fier e Sarandë. Disa prej të arrestuarve kishin aktivitet ndërtimin e pallateve dhe vilave luksoze, ndërsa ka dyshime se në emër të tyre janë qindra mijëra euro llogari bankare, të cilat pritet që akuza t’i kërkojë gjykatës sekuestrimin e tyre deri në një vendim tjetër gjyqësor.

Nga burimet e akuzës qendrore mësohet se autoritetet italiane, krahas zbardhjes së linjës së trafikut të drogës, kanë kapur edhe disa transferta apo lëvizje të të hollave nga Italia në Shqipëri. Grupi i mirorganizuar kriminal, pasi arrinte të trafikonte dhe të shpërndante lëndën narkotike në Itali, kapitalet i transferonte në atdhe, duke i përdorur për ndërtime shumëkatëshe me vlera miliona USD. Nga përllogaritjet e hetuesve të çështjes ka rezultuar se “Ndërtuesit” mund të kenë një kapital prej 5 milionë USD, të cilat duhet të deklarojnë prejardhjen e tyre në prokurori e gjykatë. Sipas ligjit të ri “Antimafie”, të akuzuarit për trafiqe të ndryshme kriminale dhe pjesëmarrje në organizata kriminale u sekuestrohet pasuria, pasi ka dyshime se ajo është vënë nga një aktivitet i paligjshëm. Më pas, janë vetë të akuzuarit që duhet të deklarojnë prejardhjen, pasi në të kundërt ajo konfiskohet dhe i kalon shtetit. Në rastin konkret, akuza ka bërë gati kërkesat e para drejtuar gjykatës, ku dhjetëra prona në qytetet e Tiranës, Vlorës, Fierit dhe Sarandës rezultojnë në emër të biznesmenëve të arrestuar katër ditë më parë.

Aktualisht, Krimet e Rënda kanë bllokuar një hotel luksoz në Vlorë, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dërguar kërkesa bankave të niveleve të dyta për evidentimin e pasurisë kriminale të të arrestuarve. Sipas informacioneve të mbërritura nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ka rezultuar se shtetasi Arben Vliko është pronar dhe aksioner i disa ndërtimeve në Tiranë e Vlorë, të cilat mund të bllokohen me një vendim të mëvonshëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Mësohet se biznesmenët shqiptarë ishin në listën e shumë të kërkuarve nga autoritetet italiane në hetim për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa përgjimet e karabinierëve kanë sjellë informacione se paratë investoheshin kryesisht në ndërtime.

Sipas dosjes italiane, Veliko, i cilësuar edhe si kreu i këtij grupi kriminal, kishte disa biznese në Vlorë dhe Tiranë, ndërsa Latimir Hoxha kishte një biznes në fshatin Mbrostar në Fier, ndërsa ka dyshime se ai zotëron edhe disa ndërtime në qytetin bregdetar të Sarandës, kryesisht pallate e vila. I arrestuarit tjetër, Panajot Dhiamandi, sipas informacioneve të prokurorisë, ishte ndërtues në qytetin e Vlorës së bashku me shtetasin Sokol Kashta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›