Droga drejt Greqisë, në pranga dy studentë dhe një futbollist
Tepelenë- Për të dytën herë brenda pak ditësh, strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Pas bllokimit në kufirin e gjelbërt me Greqinë, të 70 kilogramëve marihuanë dhe nisjes së procedimit penal për katër personat e dyshuar si transportues të saj, efektivat e policisë kanë bllokuar në një automjet 7 pako me marihuanë. Gjatë veprime të saj, policia ka ndalur tre persona, dy studentë nga Tirana dhe një futbollist të skuadrës së Rubikut të dyshuar si transportues të ngarkesës me marihuanë. Në pranga kanë rënë, Albi Daja, student në shkencat sociale, Deni Çela, student në Akademinë e Arteve dhe Eduard Ferraj, futbollist i skuadrës së Rubikut.
Zbulimi
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, orët e vona të ditës së hënë, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve dispononin një informacion të marrë në rrugë operative, sipas të cilit një automjet tip Benz, me targa të Tiranës, ku udhëtonin disa të rinj, mund të transportonte lëndë narkotike. “Pas marrjes së këtij informacioni, ne u vendosëm në ndjekje të mjetit të dyshuar që po lëvizte në rrugën kombëtare nga Gjirokastra në drejtim të Tepelenës”, thonë specialistët e antidrogës në Gjirokastër. Madje me qëllim zhvillimin me sukses të operacionit për ndalimin e automjetit, efektivat e antidrogës në Gjirokastër kanë bashkëpunuar edhe me postobllokun e policisë të ngritur ne vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, Tepelenë, pjesë e të cilit janë edhe efektiva të komisariateve të Gjirokastrës dhe Tepelenës, si dhe Njësisë Rajonale të Qarkullimit Rrugor. Pas gati 30 minutash mbajtje nën vëzhgim nga policia të mjetit, të rinjtë që udhëtonin në makinën e dyshuar porsa kanë pikasur postobllokun policor në Ujin e Ftohtë, kanë zbritur nga automjeti dhe kanë lëvizur në drejtim të zonës së pyllëzuar. Sipas burimeve policore, ata kanë marrë me vete edhe një çantë shpine, me të cilën agjentët antidrogë dyshonin se transportohej lëndë narkotike.
Operacioni
“Pasi u vendosëm në ndjekje të tyre, ne iu bëmë disa herë thirrje të ndalonin por dy të rinjtë nuk iu përgjigjën thirrjes sonë, por vazhdonin të largoheshin me vrap në pyll”, thonë burimet policore, pjesëmarrëse në këtë operacion. Pas disa minutash ndjekje nga policia, në pyllin e Ujit të Ftohtë, të dy të rinjtë, në pamundësi që të vazhdonin të fshiheshin, kanë braktisur çantën e shpinës. Pasi kanë zbritur me vrap në rrugën kombëtare, ata kanë hipur në automjetin që e kishin braktisur më parë. “Por ata ngelën të habitur, ku vunë re se në timon nuk qëndronte pjesëtari i tretë i grupit, por një agjent policie”, thonë specialistë e antidrogës në Gjirokastër. Gjatë kohës që një pjesë e efektivave blu po punonin për ndalimin e dy të rinjve me çantën e shpinës, në pyllin e Ujit të Ftohtë, postoblloku i policisë kishte ndaluar automjetin tip Benz, me targa TR 82 89 T, që drejtohej nga Albi Daja, lindur dha banues në Tiranë, student në shkencat sociale. Mbështetur edhe mbi provat e mbledhura, efektivat e postobllokut të policisë kishin bërë ndalimin e tij dhe më pas në timonin e mjetit ishte ulur një agjent policie. Skema e policisë ka futur në ”kurth” dy të rinjtë e tjerë, të cilët pasi kanë vrapuar për minuta të tërë në pyllin e Ujit të Ftohtë i janë drejtuar automjetit për t’i shpëtuar ndjekjes. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, efektivat e policisë kanë ndaluar edhe dy të rinjtë, të cilët janë identifikuar si Deni Çela, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, student në Akademinë e Arteve si dhe Eduart Feraj, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, futbollist i skuadrës së Rubikut, Rrëshen. Gjatë këqyrjes së çantës së shpinës, të braktisur në pyllin e Ujit të Ftohtë, efektivat e policisë zbuluan 7 pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë të zezë, me peshë të ndryshme, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike, të dyshuar si mariuanë. Gjithashtu në çantë policia konstatoi edhe një peshore që shërbente për të peshuar lëndën narkotike. Sipas grupit hetimor, sasia e marihuanës ishte blerë në fshatin Lazarat dhe po transportohej në drejtim të Tiranës. Mbi tre të ndaluarit rëndon akuza për veprën penale të ”prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.