E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, zëdhënëset replikojnë për kryetarët

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vazhduar edhe dje replikat në distancë për rrugën "Durrës-Kukës". Pas debateve në rang kryetarësh, dje kanë qenë zëdhënëset e dy selive që kanë kundërshtuar dhe akuzuar njëra-tjetrën për shpifje. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, theksoi se deklaratat e Kryeministrit ndaj kreut të PS-së, Rama janë shpifje. "Sali Berisha akuzoi kryetarin e PS-së, se e ka quajtur rrugën Durrës-Kukës ‘rruga e asgjëkundit‘, duke prodhuar kështu shpifjen e ulët të ditës, në të njëjtën ditë që Kolegji Zgjedhor mbylli turpshëm maskaradën zgjedhore me shkeljen flagrante të ligjit dhe mohimin e përsëritur të së drejtës demokratike të opozitës për të bërë transparencë mbi kutitë e dyshuara të Beratit, Tiranës e Shkodrës", nënvizoi zëdhënësja Imeraj. Sipas selisë rozë edhe "dje Sali Berisha vijoi rrugëtimin e turpshëm të akuzave e të shpifjeve në adresën e kryetarit të PS-së, ndërkohë që në rrugën e asgjëkundit hyri përfundimisht qeveria shtatanike e çiftit të ri të politikës së vjetër". E cila, vijoi Imeraj, doli jo vetëm nga zgjedhje pa standarde demokratike, por edhe nga dhunimi i ligjit dhe të drejtës demokratike të opozitës deri në etapën e fundit të procesit ku drejtësia nuk dha drejtësi, por vulosi padrejtësinë e pandershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit". Pas kësaj deklarate ishte i menjëhershme reagimi i selisë blu, e cila nëpërmjet zëdhënëses së saj, Erla Mëhilli, theksoi se PD-ja i kujton opinionit se kryetari i PS-së, Edi Rama, është shprehur publikisht se rruga "Durrës-Kukës" është "rruga e askundit". Më tej, zëdhënësja Mëhilli theksoi se "Rama nëpërmjet zëdhënëses së tij u deklaroi shqiptarëve se nuk është ai që e ka quajtur korridorin e Kombit "rruga e askundit". Ajo theksoi se "i kujtojmë kryetarit të PS-së, Rama, meqë i është shuar kujtesa nga humbja e zgjedhjeve se e ka shprehur publikisht këtë gjë me mediat e vendit të kontrolluara dhe të pakontrolluara prej tij, zelltarëve dhe pseudoanalistëve politikë". Gjithashtu, zëdhënësja e PD-së tha se "nëse Rama ndien pendesë për shpifjet, sulmet dhe etiketimin ndaj rrugës le t‘u kërkojë publikisht të falur 6 milionë shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›