E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata i lë të lirë, spitali ndëshkon 4 mjekët

Gjykata e Korçës ka lënë të lirë katër mjekët dhe infermierët të cilët u ndaluan tri ditë më parë nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e një fëmije 5-vjeçar. Togat e zeza vendosën që bluzat e bardha të akuzuara për vdekjen Viktor Balliut, që u kafshua nga gjarpri, të vazhdojnë punën pranë spitalit civil të Korçës. Të vënë në pranga, pak ditë më parë me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm, katër bluzat e bardha që u morën me trajtimin e fëmijës nga fshati Leminot, janë liruar me kushtin "detyrim paraqitjeje" deri në përfundim të hetimeve. Por, ndërkohë që gjykata e rrethit ka vendosur që ata të lihen të lirë t‘u rikthehen vendeve të punës, drejtoria e spitalit të Korçës ka marrë masa ndëshkimore ndaj tyre. Kështu, mjeku reanimator, Ilir Milo, është pezulluar nga puna me një afat të pacaktuar. Edhe pse ka fituar lirinë nga ana e gjykatës, mjeku reanimator është i vetmi mes ekipit të mjekëve që nuk do të rikthehet në punë deri në një vendim të dytë. Drejtori Gjergji Denasi ka bërë të ditur se ndëshkimet janë zgjeruar në radhët e mjekëve. Pas disa analizash dhe mbledhjesh që janë zhvilluar për rastin e vdekjes së 5-vjeçarit Viktor Balliu, nga një komision i brendshëm i vetë spitalit, përgjegjësitë kanë rënë edhe mbi mjekë të tjerë. Drejtori i spitalit ka komunikuar masat që janë marrë ndaj mjekëve, duke thënë se krahas ekipit që është arrestuar nga ana e policisë me urdhër të Prokurorisë së Korçës, për mjekim të pakujdesshëm, për vdekjen e fëmijës janë ndëshkuar nga vetë spitali edhe tre persona të tjerë: dy mjekë kirurgë dhe kryeinfermierja e reanimacionit. Ndërkohë, në seancën e djeshme, Ilir Milo, mjek reanimator, Olgert Hoxhallari me detyrën infermier, Julian Mato me detyrë ndihmës anestezist dhe Kostika Karamitro me detyrën infermier, kanë dalë para togave të zeza secili më vete dhe të përfaqësuar nga një avokat. Seancat për masat e sigurisë ndaj katër të arrestuarve janë zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias. Mësohet se në daljen e parë para togave të zeza për masën e sigurisë, katër mjekët kanë ngritur pretendimet e tyre për pafajësinë, ndërkohë që janë lënë në gjendje të lirë me detyrim paraqitjeje, duke qenë në dispozicion të prokurorisë për hetime të mëtejshme. Nga ana e prokurorisë është kërkuar kjo masë sigurie, e cila është lënë në fuqi prej gjykatës. Burime të sigurta thonë për gazetën se një ditë më parë është zhvilluar një takim mes drejtuesve të spitalit dhe prokurorëve për këtë çështje dhe për lehtësimin e ekipit mjekësor, ndërkohë që është kërkuar që ata të ndiqen penalisht në gjendje të lirë, derisa nga hetimet të konkludohet me prova të sakta dhe të vërtetohet shkalla e përgjegjësisë për secilin nga të akuzuarit për mjekim të pakujdesshëm. Ekipi mjekësor që ka trajtuar rastin e fëmijës 5-vjeçar u arrestua pasi nuk i kishte ofruar ndihmën e duhur fëmijës. Nga ana e të pandehurve që janë marrë në pyetje në seancën e parë për masën e sigurisë janë dhënë edhe versionet mbi ngjarjen dhe trajtimin që i është bërë fëmijës, por edhe rreth faktit se përse ai nuk u trajtua me antidotin serum antivipera. Sipas të pandehurve që kanë hyrë në sallën e gjyqit secili më vete, është pretenduar se ky medikament mund të administrohet dhe t‘i jepet për mjekim një pacienti në dy orët e para pas pickimit. Nga ana e tyre, bluzat e bardha kanë ngritur pretendimin se edhe në rast se kryhej antivipera, fëmija nuk do të kishte sigurinë për jetën, për faktin se ka mbërritur me vonesë në spital. Të katër të pandehurit hodhën poshtë akuzën e ngritur ndaj tyre, me pretendimin se fëmijës i është dhënë mjekimi i duhur, i cili është shënuar edhe në kartelën klinike dhe shërbimi i nevojshëm mjekësor, ndërkohë që për mostrajtimin me medikamentin antivipera janë shprehur se serumi nuk është tërhequr nga farmacia, pasi kishin dijeni më parë për mungesën e preparatit në farmaci. Një ditë më parë, mjekë të spitalit dolën në mbrojtje të kolegëve, duke kërkuar lirimin e tyre dhe thellimin e hetimeve për gjetjen e përgjegjësve, gjë që është pasuar dhe me një vendim të gjykatës gjatë masës së sigurisë.

Masat

Drejtoria, masa ndëshkimore për shtatë bluza të bardha

Ilir Milo, mjeku reanimator, është i vetmi nga ekipi mjekësor që ka marrë urdhrin e pezullimit pa afat nga puna, ndërkohë që drejtoria e spitalit ka vendosur masën e vërejtjes me paralajmërim për pushim nga puna dhe uljen në detyrë për dy kirurgët, Vladimir Ballco dhe Roland Cule. Të njëjtën masë me paralajmërim për pushim nga puna deri në një afat të dytë ka marrë edhe kryeinfermierja e reanimacionit, Mariana Zhilla, me përjashtim të uljes në detyrë. Drejtori i spitalit ka thënë se infermierët që kanë dalë tashmë nga arresti në burg, janë ndëshkuar me vërejtje. Tre infermierët që u arrestuan për ngjarjen do të fillojnë punën në spitalin civil të Korçës, ndërsa vetëm mjeku Ilir Milo do të shqyrtohet më tej në rast se do të ushtrojë më tej apo jo të drejtën e profesionit. Sipas drejtuesve të spitalit, përgjegjësia më e madhe ka rënë mbi mjekun reanimator, duke përjashtuar fajësinë në radhët e ekipit infermieror dhe duke i lënë me një masë më të lehtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›