E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset nga italiani, vdes 65-vjeçari

Një i vdekur dhe një i plagosur rëndë ka qenë bilanci i tre aksidenteve të ndodhura gjatë fundjavës në zonat bregdetare të vendit. Kështu, në Divjakë, mbrëmjen e së premtes, një 65-vjeçar ka humbur jetën në aksin rrugor Çermë-Divjakë. I moshuari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që autori i aksidentit, një shtetas italian, është shoqëruar për në ambientet e komisariatit për të hetuar rrethanat e aksidentit. Mësohet se 65- vjeçari Nasi Prifti, që udhëtonte me një biçikletë, duhet t‘i ketë prerë rrugën automjetit, i cili drejtohej nga italiani me emër Roberto Konstandini. Ekspertizat paraprake të policisë kanë treguar se rruga e automjetit me targa italiane është prerë nga biçikleta e 65-vjeçarit, por një faktor rëndues është shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte i huaji, i cili nuk ka mundur të vendos kontrollin e mjetit brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërkohë, një 30-vjeçar është në gjendje të rëndë pas një aksidenti automobilistik në rrugën që të çon në Gjirin e Lalzit. Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, një tjetër aksident në rrugën Maminas-Gjiri i Lalzit ka shkaktuar 2 të plagosur. Ngjarja ndodhi në afërsi të vendit të quajtur Shën Pjetër. Mjeti me targa italiane, VZBZ378BA, me drejtues Dorjan Pjetrin, 35 vjeç, për shkak të shpejtësisë në drejtim ka dalë nga rruga. Si pasojë mjeti është përmbysur, duke dëmtuar drejtuesin Pjetri, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Durrësit dhe mjekët konfirmojnë se nuk ka probleme për jetën. Ndërsa pasagjeri i tij në mjet, Ilir Pali, 30 vjeç, është dërguar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë për trajtim më të specializuar, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Aksidenti i tretë është shënuar në orët e pasdites së të premtes, në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Ka qenë ora 17: 30 kur automjeti tip "Mercedes 270", me targa të Tiranës, është përplasur fillimisht me një "fuoristradë" dhe më pas ka dëmtuar stacionin e autobusëve urbanë që lidh Ujin e Ftohtë me qytetin, si dhe një pemë palme që ndodhej në anë të rrugës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›