E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Po rrezikohet e drejta e votës për 25 mijë shtetas

“PS është e shqetësuar se akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës të mos kenë mundësi të pajisen me karta" deklaroi sot nënsekretari për ceshtjet ligjore në PS, Gjiknuri. 

TIRANE- Partia Socialiste ka paraqitur sot një sërë argumentash që cilat sipas tyre vërtetojnë procesi i aplikimit me karta të qytetarëve është në rrezik. Nënsekretari për ceshtjet ligjore në PS, Damian Gjiknuri tha sot nga selia rozë se në 38 njësi vendore nuk janë hapur akoma zyrat e aplikimit duke rrezikuar të drejtën për votim, për mbi 25 mijë shtetas.

“Partia Socialiste është thellësisht e shqetësuar se akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi të mos kenë mundësi të pajisen me dokumentin e kërkuar. Gjithashtu në shumë njësi transporti falas i premtuar nga Kryeministri nuk po funksionon duke privuar shumë njerëz nga aplikimi për shkak të distancave” theksoi Gjiknuri.

PS deklaron gjithashtu se mjaft shtetasve po u krijohen pengesa për të marrë kuponat e aplikimit në posta dhe se vendimi i qeverisë për karta 200 lekëshe, në disa raste nuk zbatohet.
“Jo në të gjitha njësitë e postës po aplikon tarifat e reja për kategoritë përfituese duke sjellë pengesa serioze në proces” u shpreh Gjiknuri.

Ndëkaq, PS i ka bërë thirrje Ministrisë së Brendshme “të deklarojë zyrtarisht se çdo qytetar që nuk ka emrin në listat e MB duhet të aplikojë duke nënshkruar një deklaratë në postë, si dhe të marrë masa që administrata e postës të mos keqinterpretojë vendimin sipas orekseve të drejtuesve të saj”.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›