Kryeministri Berisha përuroi sot shkollën e mesme të bashkuar në Thumanë, një investim prej 50 milion lekësh
Kryeministri Berisha siguroi se në 4 vitet që vijnë kjo qeveri do të bëjë çdo gjë për të zhvilluar më tej arsimin në vend
Kryeministri Sali Berisha siguroi se arsimi do të jetë prioritet i punës së qeverisjes së demokratëve në katër vitet e ardhshme gjatë inaugurimit të shkollës së mesme të bashkuar në Thumanë, një komunë rreth 33 km larg Tiranës, me një investim prej 50 milion lekësh nga buxheti i shtetit. Pasi vizitoi kabinetin e gjuhëve të huaja dhe informatikës në shkollën e re, ku mësojnë 816 nxënës, Kryeministri Berisha vlerësoi standardet e mira dhe kushtet bashkëkohore që ofron kjo shkollë e re. "Ju përgëzoj për përkushtimin që keni ndaj gjuhës angleze, një gjuhë kaq e domosdoshme për të gjithë qytetarët europianë dhe qytetarët e botës", iu drejtua Kryeministri nxënësve që mësonin në këtë shkollë. Kreu i Qeverisë vuri në dukje se klasat e kësaj shkolle nuk janë të mbingarkuara me nxënës, por në çdo klasë mësojnë rreth 25 nxënës. Duke e vlerësuar këtë si një standard shumë të mirë, Kryeministri Berisha premtoi se "në 4 vitet që vijnë kjo qeveri do të bëjë çdo gjë për të zhvilluar më tej arsimin në vend". Shkolla e mesme e bashkuar Thumanë është e pajisur edhe me një laborator informatike, të cilin Kryeministri Berisha e cilësoi si domosdoshmëri. Sipas Kryeministrit, "sot është shndërruar në realitet projekti për pajisjen e të gjitha shkollave në vend me laboratorë informatike, një projekt që 4 vite më parë mendohej të ishte një luks. Jam i bindur se lundrimi juaj në internet është i hapi i parë që do të shtrijë librarinë virtuale në të gjitha shkollat e vendit. Ne do të kërkojmë të kemi akses në 11 librari virtuale të vendeve të BE-sëj të cilat kanë mbi 2.2 milionë tituj", u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri përgëzoi nxënësit e vitit të 4-t të kësaj shkollej të cilët ishin pajisur me kartat e reja të identitetit. "Shumë shpejt ju do të merrni pasaportën biometrike, sepse do të jetë shumë e afërt dita kur ju të lëvizni në gjithë Europën. Nga një vend me kufi të m
byllur me tela vetëm 20 vite më parë, ne po kalojmë në Europën pa kufi për shqiptarët dhe kjo është një gjë shumë e madhe që ju e meritoni plotësisht", tha Kryeministri Berisha.
...