E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Po zvarritet hyrja e deputetit të ri në Kuvend, Topalli: Konomi ka 2 mandate

TIRANË - Çështja e deputetit që zëvendëson Rudina Seserin në Kuvend u shndërrua sërish në temë debati mes deputetit socialist Erion Braçe dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Deputeti Braçe theksoi se futja e deputetit Edison Konomi në Kuvend po zvarritet nga kryeparlamentarja, pavarësisht vendimit të KQZ-së.
“Nuk arrij ta kuptoj pse shtyhet kur edhe KQZ ka marrë vendimin për t’i dhënë mandatin e deputetit. Ende nuk po mblidhet Këshilli që e drejtoni ju për t’i dhënë rrugë kësaj çështje”,- tha Braçe.

Kryeparlamentarja Topalli theksoi se Këshilli i Rregullores do të mblidhet pasi Edison Konomi të dorëzojë mandatin si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit.
“Administrata i ka dërguar letër Këshillit Bashkiak të Durrësit që Konomi të dorëzojë mandatin si anëtar i këtij këshilli. Pasi të dorëzojë ai këtë mandat do mblidhet Këshilli i Rregullores dhe pastaj sipas procedurave do ulet në sallën e Kuvendit”- u shpreh Topalli.

Kuvend, nis punimet seanca plenare, shqyrtohen disa marrëveshje
Kuvendi nisi të enjten punimet me miratimin e programit të punës së Kuvendit për periudhën 30 prill-8 qershor 2012 dhe të kalendarit trejavor (30 prill-18 maj). 
Në fillim të seancës, deputeti socialist Erion Braçe kritikoi mazhorancën për mospërfshirjen në kalendarin e punimeve, të nismave ligjore të propozuara nga opozita. 

“Ky vend është pa kufij që pas ndryshimeve që janë bërë në ligjin aktual për kufijtë. Nuk arrij ta kuptoj se si nuk ju shqetëson ky fakt. Nisma ka dy herë që programohet në programin e punës së Kuvendit nuk hyn në kalendarin e komisionit të sigurisë dhe ligjeve.” - tha Braçe.

Rendi i ditës po vijon me shqyrtimin e disa marrëveshjeve, si ajo me qeverinë malazeze për pikën e kalimit kufitar “Zatrijebacka-Cijevna-Grabon”, për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve dhe për pikën e kalimit kufitar” ÇEREM-VRANIC”, për të vijuar më pas me ratifikimin e dy marrëveshjeve të tjera me bankën KfV Frankfurt AM MAIN për financimin e dy projekteve që lidhen me furnizimin me ujë dhe kanalizimet për qytetet Berat, Fier, Kamzë, Kuçovë, Lushnje dhe Sarandë",

Në fund të punimeve të seancës së sotme do të shqyrtohen dy pr/rezoluta ajo “Për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH" dhe ajo "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit Drejtues të Radiotelevizonit për vitin 2011". 

Pollo: Projektet në ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve garantonjnë zhvillimin e qëndrueshëm
Kuvendi diskutoi marrëveshjet e kredisë me Bankën Gjermane për Zhvillim KfË, për financimin prej rreth 34 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve në qytetet e Beratit, Kuçovës, Fierit, Lushnjes, Kamzës dhe Sarandës.
Sipas marrëveshjes 20 milionë euro do të jepen në formë granti nga Bashkimi Europian, ndërsa 14 milionë euro do të sigurohen në formë huaje nga banka gjermane KFW. 

Ministri i Inovacionit Genc Pollo tha se, zbatimi i këtyre projekteve do të garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Avantazhi i madh që ka sjellë kjo kredi, theksoi Pollo, është krijimi i strukturave me aftësi menaxhuese që do të zhvillohen vetë më tej, duke mos krijuar nevojën e subvencioneve nga shteti apo banka zhvillimi.

"Eshtë një reformë e madhe që ka çuar ndërmarrjet e ujësjellësave pranë bashkive. E vetmja që nuk mori përsipër menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje ka qenë Bashkia e Tiranës e drejtuar nga z. Rama", tha Pollo. Por theksoi më tej ai, nën drejtimin e z. Basha, Bashkia e Tiranës po bën përpjekje të mëdha për t'a ndryshuar gjendjen.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Konferenca e Kryetarëve shtyn diskutimin për procedurat e zgjedhjes së presidentit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›