E Diel, 1 Nëntor 2026

“Patenta II”, arrestohen 4 persona, falsifikonin dokumente

TIRANE - Seksioni Kundër Krimit Ekonomik Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale përfundoi me sukses operacionin e koduar u “PATENTA II”, në kryeqytet.

Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit : Mariglen Pavli Nikaj, 61 vjeç, dhe Qazim Muco Hysko, 62 vjeç të dënuar më parë për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Po ashtu në vazhdimësi të këtij operacioni, janë ekzekutuar edhe dy urdhëra ndalimi të Prokurorisë së Tiranës për shtetasit: Lulzim Maliq Murthi, 57 vjeç dhe Behar Halil Mata, 36 vjeç.
Këta shtetas akuzohen për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve“, “Trafikim mjetesh motorike” dhe “Moskallëzim të krimit”.

“Nga hetimet e deritanishme, ka rezultuar se shtetasit e sipërcituar në bashkëpunim me njëri tjetrin, u siguronin qytetarëve të ndryshëm dokumente të falsifikuara si, Leje Drejtimi Kombëtare dhe Ndërkombëtare, dokumente të huaja automjetesh, dokumente shkollore të ndryshme të falsifikuara.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, dyshohet se këta shtetas nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të automjeteve të shtetasve të huaj bënin të mundur trafikimin e mjeteve nga shtetet e tjera për në Shqipëri.

Aktualisht është bërë e mundur saktësimi i bazës së falsifikimit, që ndodhej në rrugën e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kompjutera, printera Epson të cilësisë së lartë, dokumente te ndryshme mjetesh të falsifikuar, pasaporta greke dhe shqiptare, vërtetim hyrje-dalje të doganës së Durrësit në emër të shtetasve të huaj, USB, etj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›