E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Pollo edhe pas 7 vjetësh në qeveri e 3 vitesh në karrige, asnjë arritje

Selia e Partisë Socialiste

Partia Socialiste në një deklaratë për shtyp i është kundërpërgjigjur deklaratave të ministrit të Inovacionit Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo.

PS e ka akuzuar Pollon se edhe pas 7 vjetësh në qeverinë e PD-së dhe pas 3 vitesh në karrigen e Inovacionit, ai vazhdon të flasë për projekte sepse nuk është në gjendje të tregojë se çfarë është realizuar.

Ne kemi prezantuar sot nevojën e përdorimit të ICT-së përmbushje të angazhimeve tona për ngritjen e Kadastërs shumëqëllimshe në funksion të hartimit të Planit të përgjithshëm Kombëtar dhe të zgjidhjes së çështjes së pronësisë. Është për të ardhur keq që ministri që paguhet për tu marrë me inovacionin nuk kupton se çfarë është kadastra shumëqëllimshe. Ministri të Inovacionit iu deshën 3 vjet për të kuptuar se duhet një ligj për të dhënat gjeohapësinore. Kushdo që e njeh sado pak ICT, e kupton mirë se ligji është hapi i parë për të realizuar çdo projekt që lidhet me territorin, thuhet në qëndrimin e PS-së.

Në vijim theksohet se ministri i Inovacionit duhet ti tregojë shqiptarëve, se cila zyrë e administratës publike apo cili ofrues i ndonjë shërbimi publik i dërgon një SMS apo një e-mail një qytetari në funksion të përmbushjes së misionit të tyre.

Partia Socialiste kërkon që Genc Polli tu tregojë shqiptarëve, se në cilën zyrë të shtetit qytetarëve u kërkohet të lexohen të dhënat e letërnjoftimit elektronik për të cilin shqiptarët kanë paguar jo pak.

Në përfundim i kërkohet kreut të MITIK që të tregojë para shqiptarëve pse është i vonuar në zbatimin strategjisë  së kalimit nga transmetimet televizive analoge në ato dixhitale, ndërsa konstatohet se strategjia ende nuk është miratuar e jo më të zbatohet.

Më herët vetë Pollo duke iu drejtuar kryesocialistit Edi Rama tha se, projekti i tij i vetëm në Bashkinë e Tiranës ishte një rrjet WiFi falas para Piramidës, nuk zgjati më shumë se një javë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›