PS: Prifti rrit çmimin në kohën e krizës
Partia Socialiste sulmoi dje ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, për premtimet e pambajtura në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Dy deputetet e PS-së, Olta Xhaçka e Shegush Ligori, thanë dje se, ministri po i rrit dritat në kohë krize ekonomie. Sipas tyre, numri i familjeve të varfra në Shqipëri po rritet dita-ditës, ku mbi 90000 familje, që sot jetojnë me ndihmë sociale vetëm 30 mijë lekë të ardhura në muaj. "Ministri Prifti, i cili tjetër premton e tjetër bën, është përgjegjës për barrën e shtuar që do rëndojë në kurrizin e familjeve shqiptare", thanë deputetet e PS-së. Ato i bëjnë thirrje ministrit Prifti, që është edhe deputet i LSI-së, "t‘i bëj apel arsyes, sepse nuk mund t‘u shtojë vuajtjet shqiptarëve në kohë festash e në kohë krize, në vendin më të varfër në Europë, kur çmimi i energjisë ka rënë dhe nuk mund t‘u shitet njerëzve shumëfish".