E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekordi i "Nobelit": Nga 13 të laureuar, 5 ishin zonja

Ndarja e çmimit "Nobel", këtë vit ka shënuar një rekord të ri. Nga të 13 të laureuarit, 5 ishin zonja, përfshi çmimin për letërsinë që e mori një grua e cila përshkruan jetën përtej Perdes së Hekurt në vitet e Luftës së Ftohtë. Mbreti i Suedisë, Gustaf, ka ndarë paratë e çmimit prej 1.4 milionë dollarësh në fushat e kimisë, fizikës, mjekësisë, letërsisë dhe ekonomisë gjatë një ceremonie në Stokholm. Mes të laureuarve ishte edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Obama, i cili mori çmimin "Nobel" për paqen, por në Oslo. Ceremonia e Stokholmit shoqërohet me një banket luksoz në hollin e bashkisë së qytetit ku të laureuarve u shërbehet një meny shumë e veçantë, që në fakt është sekret. Deri më sot çmimin që ka nisur të jepet që në vitin 1901 e kanë marrë vetëm 40 gra përfshi Marie Kurinë që mori dy të tilla, një për fizikë dhe një për kimi. Ndërsa e laureuara me "Nobelin" për letërsinë, Herta Mueller, e pranoi çmimin për veprën e saj në të cilën përshkruan realitetin e njerëzve në vendet komuniste. Një tjetër zonjë që përbën edhe rastin e parë të marrjes nga një grua të çmimit të "Nobelit" për ekonominë është Elionir Ostrom, 76 vjeç, e cila e ka ndarë çmimin me kolegun e saj, Oliver Williamson, për studimin e përbashkët në lidhje me qeverisjen ekonomike. Çmimi për ekonominë nuk u përfshi në listën fillestare të çmimeve nga Alfred Nobeli, por u krijua vite më vonë me rëndësinë që mori shkenca e ekonomisë dhe paratë e çmimit ofrohen nga Banka Qendrore e Suedisë. Amerikanet Elisabet Blackburn dhe Carol Greider ndanë çmimin e tyre në mjekësi dhe psikologji me kolegun Jack Szostak për zgjidhjen e një misteri të botës së gjenetikës. Dhe zonja e fundit ishte kimistja Ada Yonath, e cila e ndau çmimin e saj me dy studiues amerikanë për përshkrimin që u kanë bërë ribosomeve të atomit, "makinës" së qelizës që përgatit proteinat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›