E Shtunë, 31 Tetor 2026

5% mbi pagën për mjekët që trajnohen

Duke nisur nga viti 2010, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të paguajë një bonus për mjekët të cilët, nëpërmjet trajnimeve, përditësimit të njohurive arrijnë të realizojnë kreditet e përcaktuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Bëhet fjalë për një bonus prej 5% mbi pagën që shpërndahet çdo 3 muaj, ku një nga indikatorët e rëndësishëm është trajnimi i stafit mjekësor.

Vendimi është bërë publik dje nga autoritetet shëndetësore në Konferencën e Parë Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm të Profesionistëve të Shëndetësisë në Shqipëri. Në këtë konferencë ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Yvana Enzler, si dhe përfaqësuesit më të lartë të sistemit shëndetësor në vend.

"Që nga viti 2008, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur procesin efikas të lidhjes së pagesës së bonusit në shërbimin shëndetësor parësor me realizimin e disa indikatorëve, ku edukimi i vazhdueshëm është një nga treguesit e rëndësishëm, pasi jemi të bindur se përditësimi i njohurive të stafit mjekësor, do të sjellë një cilësi më të mirë shërbimi për pacientët", u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, në fjalën e saj. Numri i krediteve i përcaktuar nga Qendra e Edukimit në Vazhdim për vitin 2010 është 10 dhe ky numër do të rritet çdo vit me nga 10 kredite derisa në vitin 2014 do të bëhet 50 kredite. "Pjesa që do të paguajë ISKSH ka të bëjë me bonusin prej 5% që jepet për qendrat shëndetësore. Nga ky bonus 10 pikë janë përcaktuar për trajnimet dhe ai do të jepet për të gjitha qendrat shëndetësore në bazë të realizimeve përkatëse nga ana e vetë mjekëve", sqaroi Hana. "Matja çdo 3 muaj e këtij indikatori për përfitimin e bonusit nga qendrat shëndetësore, duke filluar nga viti 2010 do të bëhet duke marrë për bazë kreditet e përcaktuara tashmë nga Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm. Nga ana jonë po përgatiten kontratat e reja, në të cilat do të përfshihen pikavarezhet që jepen nga Qendra e Edukimit në Vazhdim për mjekët dhe për qendrat shëndetësore. Plotësimi i këtyre krediteve do të merret parasysh dhe për të gjithë mjekët e qendrave shëndetësore që e kanë kryer edukimin në vazhdim, do të jepet financimi përkatës, që në kontratat e vitit 2010", tha drejtoresha e ISKSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›