E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etika në media, gazetarët kërkojnë vetërregullim

"Unioni i Gazetarëve Shqiptarë" organizoi dje konferencën: "Kodi etik i medias shqiptare" në përballje me agresionin e fjalorit pa etikë", me pjesëmarrjen e kryeredaktorëve të shtypit të përditshëm dhe analistë e komentues të mediave shqiptare.
Konferenca e parë e këtij lloji, u organizua si një akt i përbashkët reagues ndaj kërkesave për përmirësim të etikës dhe risjellje në vëmendje të komunitetit të gazetarëve profesionistë të vendit të nevojës për respektim dhe njohje të "Kodit etik të Medias shqiptare". Në konferencë u theksuan çështjet si: gjendja problemore e mosrespektimit të etikës në komunikimin publik; roli i shtypit të shkruar në përmirësimin e këtij komunikimi; krijimi i një barriere dhe shenjimi i fjalorit barbar e dhunues të etikës së komunikimit në procesin editorues të gazetave; respektimi i normave etike dhe përballja e gjithkujt me këto norma, si dhe rritja e normave të respektimit dhe nënshtrimit ndaj Kodit Etik shqiptar. Pjesëmarrësit vlerësuan se tashmë është koha të ndërmerren veprime konkrete vetërregulluese në tregun mediatik shqiptar dhe në gjithë veprimtarinë profesionale të gazetarëve shqiptarë. UGSH, editorët e shtypit të shkruar, analistë dhe publicistë të investuar nënshkruajnë në mbështetje të kësaj nisme Rezolutën: "Kodi etik i medias shqiptare në përballje me agresionin e fjalorit pa etikë". Kjo rezolutë nënshkruhet nga drejtuesit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, kryeredaktorët e gazetave të përditshme të Shqipërisë, analistë dhe publicistë.
Nënshkruesit e kësaj rezolute:
-Ftojnë në mbështetje të kësaj nisme gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë të Shqipërisë, drejtuesit dhe editorët e mediave shqiptare kombëtare dhe lokale, gjithë kategoritë profesionale dhe bashkëpunëtorët e tyre në informimin e publikut.
- Apelojnë ndaj përfaqësuesve të shprehjes publike të respektojnë kudo dhe kurdo rregullat e komunikimit etik dhe kodet etike e morale të shprehjes.
- Kërkojnë që Këshilli i Etikës (dhe organet e tjera që mbrojnë dhe përgjigjen për normat etike në media), i cili është nënshkruar me vullnetin e përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve, të jetë aktiv në mënyrë të përhershme.
- Në kuadër të përgatitjes për ligjin e ri të shtypit, i kërkohet Komisionit Parlamentar të Medias të diskutojë me përfaqësuesit e organizatave ekzistuese të gazetarëve për të gjetur modalitetet që Këshilli i Etikës të marrë atributet e një organizmi përgjegjës me efekt detyrues për sa u përket standardeve në zbatimin e Kodit të Etikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›