E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: ‘Pronat’, në udhëkryq

TiranëPartia Socialiste theksoi sot se qeveria Berisha ka thelluar problemin e pronave në vend. “Sot ne konstatojmë se pronarët shqiptarë janë praktikisht shumë më larg marrjes së pronës së tyre sesa katër vite më parë. Sali Berisha, megjithëse i rrëmbeu dhunshëm kompetencën gjykatave, duke lejuar Zyrat e Regjistrimit të saktësonin kufinjtë e pronave, nuk zgjidhi asnjë konflikt. Përkundrazi shtoi konfuzionin dhe abuzimin me të drejtën e pronës në vend. Zyrat e regjistrimit të pasurive, sipas TI sot janë burimi kryesor i konflikteve të pronësisë. Kështu do të përfundonte kjo çështje në kushtet kur gjykata janë të përjashtuara dhe sistemi unik i regjistrimit nuk funksionon ende”-tha në një konferencë, Ylli Manjani, kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Administratës.

Ai shtoi, se qeveria është tallur me të gjithë pronarët që prisnin kthimin e pronës së tyre. Nga ana tjetër-vijoi Manjani-pronarët sot konstatojnë se edhe ato pak raste që kanë përfituar nga kthimi apo kompensimi, janë persona që kanë përfituar të drejtën e tyre vetëm në sajë të lidhjeve politike të afërta me qeverinë.
Sipas tij, Sali Berisha stimuloi hapur dhe pa asnjë kriter pushtimin e pronës duke shtyrë, zgjatur e zvarritur procesin e legalizimeve, proces ky që sipas ligjit dhe programit të vetë Berishës duhet të kishte përfunduar dy vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›