E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët në Facebook/ Pasivë në deklarata, aktivë në internet

Facebook-u është bërë padyshim një nga gjërat pa të cilën shumë të rinj nuk mund as të imagjinojnë të shtyjnë ditën e tyre. Mirëpo përveç të rinjve kjo mani i është shtuar edhe politikanëve tanë të dashur që më shumti kanë krijuar profilin e tyre në Facebook. Po të klikosh në këtë faqe do të shikosh se gjen aty shumë miq, shokë e familjarë, por, vitin e fundit, ke mundësi të gjesh edhe politikanë dhe të komunikosh me ta sikur i ke miq prej vitesh. Në fakt kjo është bërë një mënyrë mjaft interesante për konsumimin e kohës së lirë të politikanëve të cilët në këto dite vere kanë zgjedhur Facebook-un përpara komunikimit me mediat dhe kërkesës për intervista. Kështu nga 140 deputetë të Kuvendit, 79 kanë faqen e tyre në "Facebook" ndërkohë që 61 të tjerët nuk e kanë ndjekur këtë "modë". Rekord për numrin e miqve në faqen e "Facebook", me të cilët komunikon për çështje të ndryshme, ka deputeti i PS-së, Andis Harasani, në faqen e të cilit janë regjistruar 4479 miq. Deputeti Harasani është nga ata politikanë i cili hedh ide për diskutim në faqe, ku komentet janë të shumta. Po kështu, mjaft debutues në faqen e internetit është edhe deputeti tjetër i PS-së, Erjon Braçe. Ai pranon të debatojë "live" në internet edhe për problemet e brendshme që po kalon aktualisht PS-ja që pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Këto debate janë bërë edhe mes vetë deputetëve që ndajnë bindje të ndryshme në të njëjtën parti, siç ishte edhe debati i fundit në internet mes Braçes dhe Harasanit. Nuk mbeten më pas në komunikimin e tyre me miqtë e internetit edhe deputetët e tjerë të opozitës, Kastriot Islami dhe Arben Malaj. Ndërkohë që nga kampi i mazhorancës, megjithëse janë të shumtë politikanët anëtarë në faqen e "Facebook"-ut, komunikimi i tyre me "miqtë" e rinj është paksa më i ngurtë dhe disa prej tyre, si deputetja e re e PD-së, Rajmonda Bulku, që, pas zgjedhjeve janë tërhequr nga faqja. Por, në faqen e "Facebook"-ut, megjithëse gjen pjesën më të madhe të deputetëve të anëtarësuar, një pjesë e tyre janë pasivë. Pasivë në faqen e "Facebook"-ut gjen deputetët Damian Gjiknuri, Astrit Patozi, Ardian Kollozi, Shpëtim Idrizi, Arenca Trashani, Marko Bello, Luciano Boçi, Bashkim Fino, Enkelejd Alibeaj, Arben Imami e të tjerë. Faqe në "Facebook" kanë edhe shumë nga ministrat e kabinetit aktual qeveritarë si Bode, Ruli, Bregu, Pollo, Beja, Basha, etj., por edhe këta shumë pak i gjen "on line" për të diskutuar për çështje të ndryshme. Ministrat e kabinetit "Berisha" janë mjaftuar me hapjen e një faqeje, e cila është vështirë të merret vesh nëse e kanë hapur vetë apo ndonjë adhurues i flaktë i tyre, të cilët kërkojnë të shohin sesa miq ka shefi. Kështu nga një vëzhgim rezululton se presidenti Bamir Topi, ka 8054 përkrahës. Fatos Nano, me 1930 anëtarë në "Facebook". Në emër të kryetarit të PS-së, Edi Rama, janë hapur 18 faqe në "Facebook" në internet. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe kundër tij, të cilët e shajnë për rrugën politike që ka ndjekur, duke e akuzuar se po copëton të majtën. Në një faqe në "Facebook", kryetari i PS-së Rama ka 2429 përkrahës, në një tjetër 2172 përkrahës, anëtarë në grup për Edi Ramën, në një faqe tjetër të hapur në "Facebook" janë bërë 1372 anëtarë, siç ka edhe 1491 adhurues. Meta shahet për bashkëpunimin me PD-në
Një ndër më aktivët kohët e fundit, sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit, është ish-deputeti i PS-së, kryetari i PSV-së, 91 Petro Koçi. Ai diskuton dhe debaton me miqtë e "Facebook"-ut për tema të ndryshme. Por më shumë kryeson ajo e çështjeve politike dhe konkretisht e zhvillimeve brenda së majtës. Koçi ka kërkuar largimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke theksuar se ai duhet të pranojë humbjen dhe të respektojë statutin e partisë që ai vetë kërkoi të hartohet dhe të miratohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›